Ish-kryeministri Sali Berisha ka sqaruar publikisht arsyen pse fshiu nga rrjetet sociale foton e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, e cila qarkulloi disa ditë më parë dhe u shoqërua me debate mbi autenticitetin e saj.
Në një deklaratë për gazetarët, Berisha tha se praktika e tij është që të largojë menjëherë çdo material për të cilin lindin dyshime mbi vërtetësinë ose që përmban elementë të jetës private.
“Ajo foto… e ke shumë të drejtë. Unë kam një praktikë: në rast se ka të dhëna se fotoja apo dokumenti është fake, unë absolutisht e heq menjëherë. Qytetari dixhital funksionon me një burim, siç funksionojnë shumë media në botë,” u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri nënvizoi se, pavarësisht debatit për foton, faktet kryesore sipas tij mbeten të pandryshuara.
“Vangjush Dako a u burgos për të shkuar tek Veliaj? Kjo është e vërtetë. A është e vërtetë që u shtrua në spital? Kjo është e vërtetë. Pastaj e kishin tepruar, se ajo fotoja kur pashë më vonë që ishte një video intimiteti me Shqopën, e hoqa menjëherë,” tha Berisha.
Berisha theksoi se nuk ka ndërmend të merret me çështje që lidhen me jetën intime të individëve, duke e cilësuar atë një vijë të kuqe që nuk do ta kalojë.
“Brenda burgut apo spitalit të burgut nuk e di se ku ishte ajo. Me çështje intimitetesh nuk merrem unë,” deklaroi ai.
Kujtojmë se Dako u arrestua disa muaj më parë si pjesë e hetimeve të SPAK mbi shpërdorimin e detyrës, ndërsa publikimi i fotos së pretenduar nga qelia shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.



