Etleva Skonja
Ish-presidenti Ilir Meta ka habitur opinionin publik kur ka deklaruar se nuk zotëron asnjë pasuri, asnjë pronë të paluajtshme apo pasuri të tjera të regjistruara.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur hetimet ndaj ish-presidentit dhe afërmwve të tij janë intensifikuar nga organet e drejtësisë për shkelje të mundshme financiare dhe për pasuri të pajustifikuara.
Në një prononcim për mediat, Meta tha:
“Unë nuk zotëroj asgjë, çdo pasuri që mund të lidhej me emrin tim është larguar ose nuk ka ekzistuar kurrë zyrtarisht në emrin tim. Jam i pastër në çdo aspekt financiar dhe i gatshëm të bashkëpunoj me autoritetet.”
Por ky pretendim është në kontrast me historikun e pasurive të tij, përfshirë vilën luksoze në Lalëz, e cila njihet për 11 tualetet dhe standardin e lartë të luksit. Vila ka qenë objekt diskutimesh dhe raportimesh mediatike për vite me radhë si simbol i jetesës së Metës dhe pasurive të tij të regjistruara në periudha të mëparshme.
Në të njëjtën vilë, Meta organizoi një festë faraonike për ditëlindjen e tij, shpenzimet e së cilës kanë kaluar 500 mijë eurot.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, në një deklaratë për gazetarët, u shpreh:
“Deklarata e klientit tim është e saktë dhe përputhet me dokumentacionin aktual. Çdo pasuri e regjistruar më parë është transferuar sipas ligjit, dhe nuk ka asnjë element që të implikojë zotërimin e paligjshëm të pronave.”
Megjithatë, autoritetet hetimore vijojnë të analizojnë pasuritë e ish-presidentit, duke përfshirë lëvizjet e mundshme financiare në emër të të afërmwve, kompanive ose trusteve të ndryshme. Hetimet kanë përqendruar vëmendjen mbi mundësinë e zhvendosjes së pasurive luksoze, përfshirë vilën në Lalëz, dhe origjinën e fondeve që janë përdorur për blerjen e tyre.
Akuzat që rëndojnë mbi Metën dhe familjarët e tij përfshijnë dyshime për pasuri të pajustifikuara, shpërdorim detyre në periudha kur ai ka mbajtur poste të larta shtetërore, si dhe përfshirje në kontrata dhe investime që nuk janë deklaruar siç kërkon ligji.
SPAK ka zbuluar se Meta ka pasuri të shumta të padeklaruara, përfshirë një pallat në Laprakë, një shtëpi 500 m² në Kodrën e Diellit, dhe një apartament në Golem të Durrësit, i cili u shit me një fitim të konsiderueshëm. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Meta ka përdorur emra të tjerë për të fshehur pasuritë e tij, duke përfshirë edhe anëtarë të familjes dhe individë të medias. Një nga këta individë është Baton Haxhiu, i cili ka blerë një vilë nga Meta në Golem dhe ka dhënë dëshmi në SPAK.
Hetimet pritet të vazhdojnë, ndërkohë që mediat dhe qytetarët presin sqarime mbi vendndodhjen e pasurive të Metës dhe përputhshmërinë e deklaratave të tij me të dhënat e regjistruara historikisht. Çdo zhvillim i ri mund të ndikojë në vijimin e procedimeve dhe në perceptimin publik mbi transparencën e ish-presidentit.