Petro Nini Luarasi: Gjethi fletë-njomë i diturisë u çel, pemët zemër shqipëtare lulëzuan dhe shqipëtari i tartarosur prej dimërit të shkuar u tunt, u shkunt, u shëndosh dhe njohu në ç’hon qe hedhur e dënuar për vdekje, i zgjuar po vrapon me çape trimi në rrugën qe e kren në shesh të pranverës.
Unifikimi i abetares u konsiderua emergjencë nga atdhetarët e viteve të para të shekullit të XX. Çështja e ABC-së ishte problematikë me të cilën ndeshej edhe shtypi i kohës, sepse gazetat apo revistat e para në shqip përdorën shkronja të ndryshme patën vështirësi për të siguruar shkronjat. Në këto kushte, në vitin 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Në faqen 34 të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1909 gjejmë artikullin për rëndësinë e Kongresit të Manastirit:
“Është një nga ngjarjet e mëdha për kombin shqiptarë, kjo mbledhje që u mbajt që me 1 gjër me 10 të vjeshtës së tretë. Ky kongres u mblodh për t’i dhënë fund çështjes së “ABC”-së, për të vendosur që të shkruhet gjuha shqipe me një palë shkronja e jo si deri tani që çdo njeri e ngrehte abc-në siç i donte qefi.
Në kongresin e Manastirit morën pjesë 32 delegatë të nderuar, nga 22 qytete, klube dhe shoqëri të Shqipërisë dhe jashtë saj (Amerikë, Bukuresht, Kostancë, Sofie, Egjypt etj). 32 delegatët zgjodhën 11 prej tyre dhe ngritën një komision. Ky komision i dha fund diskutimit për abc-në duke zgjedhur abetaren e Stambollit me pak ndryshime (ë, e, p, x). Bashkë me këto shkronja, kongresi vendosi të përdorte edhe një abetare tjetër latine, dmth me 25 letra duke bashkuar dy letra bashkë për ata zëra që mungojnë në abc-të latine.”
Pas Kongresit të Manastirit, në mbarë trevat shqiptare dhe jashtë tyre, u përhapën me ritme të shpejta klubet kulturore. Paralelisht po avanconte edhe hapja e shkollave shqipe. Në “Kalendarin Kombiar” të vitit 1909 është botuar edhe një artikull që informon pikërisht për iniciativat që po merrnin atdhetarët e shquar në organizimin e shoqërive të ndryshme kulturore.
“Me tu shfaqur konstitucioni, (leja për gjuhën shqipe), shqiptarët me të dy duart zunë të punojnë për gjuhën e tyre duke çelur shkolla dhe klube. E para shkollë u çel në Elbasan një javë pas shpalljes së konstitucionit. Pas saj, erdhi hapja e shkollës së Tiranës, pastaj erdhën me rradhë ato të Korçës, Beratit, Kolonjës etj.
U çelën pesë klube të mëdhenj në Stamboll, Selanik, Egjipt, Manastir dhe Janinë. U hapën edhe 10 të vegjël në Elbasan, Tiranë, Korçë, Berat, Vlorë, Delvinë, Gjirokastër, Filat etj.” Pas përcaktimit të alfabetit shqip dhe hapjes së shkollave të para, në vitin 1909 u hodhën hapa të rëndësishëm edhe në zhvillimin e medias. Në artikullin me titull “Gazeta Shqip”, pasqyrohen titujt e gazetave që u botuan menjëherë pas Kongresit të Manastirit si: “Liria”, “Bashkimi”, “Korça” e gazeta “Rrufeja”, të gjitha të përjavshme në gjuhën shqipe.
Pavarësisht lejimit të gjuhës shqipe, përndjekja ndaj atdhetarëve shqiptarë ishte shtuar, edhe pse Perandoria Osmane ishte në grahmat e fundit. Pikërisht në këtë kohë kishte nisur të botohej gazeta “Drita” në Sofje, e drejtuar nga Petro Nini Luarasi. Në artikullin e botuar në maj të vitit 1909, duket optimizmi që kishte kapluar faktorin shqiptar në të gjitha dimensionet.
Artikull i publikuar në gazetën “Drita” me autor Petro Nini Luarasi
“Hop’ i dimërit që hoqi shqipëtari në katërqind vjet e tehu qe i ftohtë, i hidhur, fatkeq e prishës… Dimëri është në të përcjellë dhe pranvera afroi për gjithë shqiptarët. Lum’ ata që nuk e flakërinë shpresën po muar në kurajë të këqijat e dimërit, se pranverën do ta shohën me shijen më t’ëmbëlë. Gjethi fletë-njomë i diturisë u çel, pemët zemër shqipëtare lulëzuan dhe shqipëtari i tartarosur prej dimërit të shkuar u tunt, u shkunt, u shëndosh dhe njohu në ç’hon qe hedhur e dënuar për vdekje, i zgjuar po vrapon me çape trimi në rrugën qe e kren në shesh të pranverës… Komiteti shqiptar për shpëtimin e mëmëdheut po na thërret. Le të sulemi për qëllim të shenjtëruar… Atë që na ndihmon në hallin tënë le ta kemi për nder për jetë, po atë që na ndalon ta shkelmojmë.”