Viti 2025 u mbyll me një bilanc pozitiv për eksportet e mallrave, si në vlerë financiare, ashtu edhe në fluksin e shkëmbimeve tregtare, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Në muajin Dhjetor të vitit të shkuar, eksportet e mallrave arritën vlerën e 27 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë gjithë vitit 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën totale prej 346 miliardë lekësh.
Kontributi kryesor në rritjen e eksporteve gjatë Dhjetorit 2025 erdhi nga grupet:
Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike (+3%),
Materiale ndërtimi dhe metale (+2.4%),
Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (+1.2%).
Në fundvit, vendet me rritjen më të madhe të eksporteve në krahasim me Dhjetorin 2024 ishin Kosova me 24.4% dhe Greqia me 21.3%. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2025, rritjen më të madhe e regjistruan: Spanja (+19.9%), Greqia (+7.9%) dhe Gjermania (+1.9%).
Sipas INSTAT, 57% e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë për vitin 2025 ishin me vendet e Bashkimit Evropian, ku partnerët kryesorë rezultojnë: Italia (26.8%), Kina (10.5%), Greqia (7.6%) dhe Turqia (7.3%).
Rritja e eksporteve tregon një forcim të prezencës së mallrave shqiptare në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke reflektuar një tendencë pozitive për ekonominë vendase.



