back to top
7.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaVizita e Dumanit në SHBA/ SPAK zbardh diskutimet

Vizita e Dumanit në SHBA/ SPAK zbardh diskutimet

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, zhvilloi më 2 dhe 3 shtator vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ku pati takime të nivelit të lartë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Gjatë takimeve u vlerësua bashkëpunimi ekzistues mes SPAK dhe agjencive amerikane për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Z.Dumani theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të këtij partneriteti strategjik dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kuadër, Drejtuesi i SPAK mori pjesë edhe në Konferencën Ndërkombëtare të DEA-s, e zhvilluar më 26-28 gusht në Nashville, Tennessee, e titulluar “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional”. Gjatë konferencës, ai zhvilloi takime me drejtues të agjencive ligjzbatuese të vendeve pjesëmarrëse, duke diskutuar mundësinë e krijimit të urave të komunikimit dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër narkotikëve.

SPAK njofton se vizita ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve ekzistuese dhe forcimin e koordinimit ndërkombëtar për një të ardhme më të sigurt dhe me më pak krim transnacional.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.

Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Z.Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.

Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht

NASHVILLE-TENNESSEE –  Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.

Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.

Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat