Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, duke e cilësuar këtë vizitë si një nder të madh për vendin dhe një sinjal të marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta mes Shqipërisë dhe Emirateve.
“Është nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë për herë të dytë në një kohë kaq të shkurtër”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij, duke theksuar vlerësimin për raportin e ndërtuar me udhëheqësin e Emirateve.
Kreu i qeverisë shqiptare e përshkroi praninë e Sheikhut si simbolike dhe emocionale:
“Prania juaj ndihet si ajo e një të afërmi të dashur, që kthehet për të parë nëse gjithçka është mirë në shtëpinë e të afërmve të vet. Erdhet si një anëtar i dashur i familjes që, ndonëse larg, nuk i shkëput fijet e dashurisë.”
Rama shtoi se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Emirateve ka kaluar në një fazë më të thellë besimi dhe miqësie:
“Ne fillimisht dëgjuam për Emiratet, pastaj i mësuam, i vizituam, dhe sot kemi filluar të kuptojmë thellësisht njerëzit që kujdesen për to dhe vlerat që ata përfaqësojnë.”
Kryeministri e mbylli fjalën e tij me tone personale dhe miqësore, duke u shprehur se tashmë nuk ka më dyshim se “kush është më i mirë nga të dy”, në një aludim miqësor ndaj mikut të tij nga Abu Dhabi.
Vizita e Presidentit të Emirateve vjen në një kohë kur të dy vendet po forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik, me projekte konkrete në zhvillim dhe mbështetje të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare.



