Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka shpallur një listë të gjerë vakancash në disa prej drejtorive dhe ndërmarrjeve vartëse, pas dorëheqjes së disa prej drejtuesve aktualë. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku ai u bëri thirrje qytetarëve dhe profesionistëve të interesuar që të aplikojnë për pozicionet e hapura.
“Vakancat janë të hapura për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit në të gjitha nivelet”, shkruan Dredha.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë janë publikuar tashmë procedurat për një pjesë të këtyre pozicioneve, ndërsa pjesa tjetër do të bëhet publike në ditët në vijim.
Pozicionet e shpallura aktualisht janë:
Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
Drejtor në Drejtorinë e Protokoll-Arkivës
Kryeinspektor në IMT (Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit)
Drejtor në Policinë Bashkiake
Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike
Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile
Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
Drejtor në Shtëpinë e Foshnjes
Drejtor në Teatrin “Petro Marko”
Dredha ka sqaruar se aplikimet duhet të dorëzohen brenda afateve të përcaktuara në çdo shpallje zyrtare, ndërsa ka theksuar se procesi është pjesë e një përpjekjeje për ristrukturim dhe përmirësim të administratës vendore.
Kjo lëvizje vjen pas një sërë dorëheqjesh të papritura në drejtoritë kryesore, që duket se kanë nxitur nisjen e një procesi të ri për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj.