Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas lajmit se anonimi Nesti Angoni ka depozituar një kallëzim ndaj saj në SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi thekson se nuk do të lejojë që shpifjet apo letra anonime ta trembin ose ta heshtin.
“Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabojnë! Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabojnë! Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort! Kundër korrupsionit. Kundër padrejtësive. Kundër abuzimit me pushtetin,” shkruan Vokshi.
Ajo shton se sa më shumë të sulmohet, aq më fort do të dëgjohet mesazhi i saj, duke nënkuptuar se as paraja e as kryeministri Edi Rama nuk do ta ndalojnë nga të thënë e vërteta.
Kallëzimi ndaj deputetes është depozituar në ditët e para të shtatorit nga Nesti Angoni, i njëjti denoncues që ka kallëzuar më parë edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.



