Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës konfirmon se moti i keq që ka përfshirë vendin nuk ka ndikuar në nisjet e fluturimeve. Të gjitha fluturimet nga “Nënë Tereza” drejt destinacioneve europiane dhe botërore po kryhen sipas orareve të planifikuara.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka shpërndarë njoftimin për shtyp të aeroportit, duke theksuar se situata në Rinas është nën kontroll dhe nuk paraqet probleme për udhëtarët.
“Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht gjatë ditës deri në këto momente. Situata meteorologjike mbetet e paqëndrueshme, duke shkaktuar në disa raste shmangie ose vonesa gjatë uljes. Shërbimet e Lundrimit Ajror janë plotësisht të angazhuara për të menaxhuar çdo situatë të pazakontë që mund të krijohet si pasojë e përkeqësimit të kushteve meteorologjike gjatë orëve në vijim”, njofton aeroporti.
Sipas informacionit të dhënë, vonesat kanë prekur vetëm disa ulje, ndërsa nisjet vazhdojnë pa problem.



