Prokuroria në Durrës ka kërkuar dënimin e të pandehurit Hysen Meta me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim.
Hetimet lidhur me procedimin penal nr. 386, viti 2024, zbuluan se Hysen Meta dhe motra e tij, Hygerta Meta, kanë planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen e babait të tyre, Pellumb Meta. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë marrë masat për vendin dhe mjetin e krimit, duke përfshirë sigurimin e një arme zjarri, dhe e kanë ekzekutuar vrasjen më 10 shkurt 2024 në banesën e familjes në Shënvlash, Durrës.
Hysen Meta qëlloi katër herë në drejtim të babait të tij; tre plumba e goditën viktimën, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, të dy të pandehurit kanë kryer veprime për të zhdukur gjurmët, duke përfshirë mbështjelljen dhe groposjen e trupit të viktimës, zhdukjen e armës së krimit dhe të sendeve personale. Hysen Meta madje paraqiti në polici zhdukjen e babait si largim të vullnetshëm nga shtëpia.
Gjatë seancës gjyqësore të datës 16 shtator 2025, prokurorja kërkoi:
Për Hysen Metën: Deklarimin fajtor për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” me burgim të përjetshëm, për mbajtje pa leje të armës (3 vjet burg) dhe fshehje e asgjesim të kufomës (5 vjet), me bashkim të dënimeve në burgim të përjetshëm.
Për Hygerta Metën: Deklarimin fajtore për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” (25 vjet burg) dhe fshehje e asgjesim të kufomës (5 vjet), me bashkim në 30 vjet burg.
Për Amarildo Metën: Deklarimin fajtor për fshehje dhe asgjesim të kufomës, me 5 vjet burg.
Për Blerina Metën: Deklarimin fajtore për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, me 3 vjet burg.
Rasti tronditi opinionin publik në Durrës dhe paraqet një shembull të rrallë të dhunës brenda familjes. Gjykimi pritet të vijojë për shqyrtimin e provave dhe shpalljen e vendimit përfundimtar.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’ e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.386, viti 2024, u provua se të pandehurit Hysen Meta dhe Hygerta.Meta., motër e vëlla, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vendosur dhe planifikuar vrasjen e babait të tyre, shtetasit Pellumb Meta.
Të pandehurit pasi kanë menduar dhe thurur me qetësi planin e tyre për të vrarë babain, janë përgatitur duke marrë masat për vendin ku do të realizonin vrasjen, për mjetin me të cilin do ta kryenin duke siguruar një armë zjarri, plan ky i realizuar në datë 10.02.2024. Të pandehurit në datë 10.02.2024, ditë e shtunë kanë qenë në banesën e tyre në Shënvlash, Durrës, ndërsa i pandehuri Amarildo Meta ka qenë në punë.
Viktima Pellumb Meta ka lënë punën në orët e para të mëngjesit të kësaj dite dhe është larguar për në banesën e tij. Rreth mesditës së datës 10.02.2024, viktima ka qenë në kuzhinën e banesës, kohë në të cilën djali i tij i pandehuri Hysen Meta në prani edhe të të pandehurës Hygerta Meta, pasi ka marrë një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë. Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar nme mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit. Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga i pandehuri Hysen Meta. Ky shtetas ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij. Gjatë gjykimit e pandehura e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hysen Meta në prani të saj.
Në seancën gjyqësore të datës 16.09.2025, prokurorja ka kërkuar:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta, për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me burgim të përjetshëm.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armёve, armёve shpёrthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate më burgim të përjetshëm.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta, për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 25 vjet burgim.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate me tridhjetë vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Amarildo Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Blerina Meta për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, tё parashikuar nga neni 301 I K.Penal dhe dënimi e saj në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.



