Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq shtetasin Isuf Hasa për veprën penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’, pasi vrau fqinjin e tij pasi pinë bashkë kafen e mëngjesit dhe më pas i mori dhe paratë.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të hetimeve u arrit të provohet se shtetasi Isuf Hasa shkaktoi vdekjen e fqinjit të tij, shtetasit Xhemal Meta, i gjetur i pajetë në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative, Shëngjergj të Tiranës, më 13.01.2025.
Ekspertiza mjeko ligjore provoi se viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi. Ndërsa autori, shtetasi I.H. i pyetur dhe ripyetur nga prokuroria, pranoi se goditi fqinjin e tij pasi kishin pirë kafen e mëngjesit pas mllefit të akumuluar prej kohësh, duke qenë se viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë, pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi, e nuk dinte çfarë bëhej me gruan e tij. Autori gjithashtu pranoi që mori edhe sasinë e parave që viktima mbante gjithnjë me vete të lidhura me një qese në qafë.
Për shkak të marrëdhënieve të afërta që ekzistonin midis tij dhe viktimës, shtetasi I.H. ishte në dijeni të faktit që viktima mbante gjithmonë një qese me vete të lidhur në qafë, ku gjendeshin paratë e tij dhe pasi kreu aktit e vrasjes u largua drejt shtëpisë së vajzës së tij në Vorë, ku la armën e krimit dhe sasinë monetare.