back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 13 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaYzeiraj: Buxheti 2026 arrin 31% të PBB-së, pa ndryshime fiskale

Yzeiraj: Buxheti 2026 arrin 31% të PBB-së, pa ndryshime fiskale

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, deklaroi se në vitin 2026 nuk do të ketë rritje taksash. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, ai theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është ndërtuar pa taksa të reja dhe pa ndryshime thelbësore në nivelin e tatimeve.

Sipas tij, arsimi ka arritur mbi 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa shëndetësia thuajse 3%, çka përbën – siç tha – nivelin më të lartë historik të shpenzimeve publike në raport me ekonominë kombëtare.

“Kemi arritur nivelin e 31% të PBB-së për gjithë buxhetin. Po administrojmë më mirë të ardhurat dhe kemi mbledhur mbi 29% të PBB-së në të ardhura, që është një nivel historikisht i lartë,” – deklaroi Yzeiraj.

Polemika për paketën fiskale

Opozita ka kritikuar faktin që projektbuxheti 2026 është dorëzuar në Kuvend pa një paketë fiskale shoqëruese, duke e quajtur këtë një “anomali”. Por zëvendësministri Yzeiraj u shpreh se kjo nuk përbën problem, pasi ndryshimet e mundshme do të jenë jo thelbësore dhe po rakordohen me Komisionin Evropian.

“Kemi premtuar që në 2026 nuk do të ketë taksa të reja dhe as rritje taksash. Jemi në gjendje të parashikojmë me siguri të lartë nivelin e të ardhurave dhe shpenzimeve,” – shtoi ai.

Debati për PPP-të

Një tjetër kritikë e opozitës lidhet me pagesat për kontratat koncesionare (PPP), që sipas saj do të arrijnë në 125 milionë euro, ose 2.5 herë më shumë se fondi i ndihmës ekonomike për 61 mijë familje në varfëri ekstreme.

Por Yzeiraj e kundërshtoi këtë argument, duke theksuar se krahasimet “çalojnë”, sepse shumica e këtyre pagesave janë për projekte me investime të konsiderueshme.

“Në buxhetin 2026, pagesat për kontratat koncesionare do të jenë vetëm 1.7% e të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, shumë më poshtë kufirit fiskal prej 5%,” – sqaroi ai.

Sipas zv.ministrit, kjo tregon se pagesat për PPP-të janë plotësisht të menaxhueshme dhe brenda standardeve të miratuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat