back to top
32.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetZarfe fantazmë nga Diaspora/ PD: Vota të falsifikuara, KQZ hesht

Zarfe fantazmë nga Diaspora/ PD: Vota të falsifikuara, KQZ hesht

Partia Demokratike ka denoncuar sot një sërë parregullsish të zbuluara gjatë verifikimit të zarfeve me vota nga Diaspora, të mbërritura përmes operatorit postar DHL. Përmes një deklarate nga selia blu, zëdhënësja për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mungesë transparence dhe shkelje të kuadrit ligjor.

Sipas PD-së, një pjesë e konsiderueshme e fletëve të votimit nuk përmbajnë nënshkrimet e detyrueshme nga zgjedhësit jashtë vendit. “Në vend të nënshkrimeve, janë gjetur viza, pika, iniciale apo simbole të tjera pa vlerë identifikuese. Në shumë raste, mungon çdo formë nënshkrimi,” deklaroi Vangjeli.

PD shton se janë evidentuar edhe fleta shoqëruese të dorëzimeve postare të mbushura me të njëjtin dorëshkrim, çka ngre dyshime për manipulim. Sipas Kodit Zgjedhor, çdo votë nga Diaspora duhet të vijë individualisht, në adresën e regjistruar në KQZ dhe me nënshkrim të zgjedhësit.

“Vetë provat e publikuara nga KQZ tregojnë se tre kriteret ligjore nuk janë përmbushur. Rrjedhimisht, këto vota janë të pavlefshme dhe procesi i votimit nga Diaspora është i kontaminuar,” u shpreh zëdhënësja e PD-së.

Burime pranë KQZ-së kanë konfirmuar se nuk do të kryhet pagesa ndaj DHL për zarfat që nuk përmbajnë nënshkrime, por PD ngre pikëpyetje përse kjo verifikim nuk është bërë më herët dhe përse listat e detajuara të votuesve për çdo shtet nuk janë bërë publike.

“Është e papranueshme që KQZ të kujtohet për shkeljet e kontratës me DHL vetëm pasi janë mbyllur ankimimet dhe nuk ndikon më te rezultati,” thekson PD në deklaratë, duke e cilësuar procesin si të manipuluar dhe jolegjitim.

PD i bën thirrje KQZ-së që të publikojë menjëherë masat e marra, të sqarojë arsyet e mungesës së reagimit ndaj paralajmërimeve të hershme dhe të garantojë integritetin e procesit.

“Qytetarët meritojnë transparencë, votë të vlefshme dhe zgjedhje të ndershme. Kjo është beteja jonë,” përfundon deklarata.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat