back to top
17.5 C
Tirana
E diel, 26 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetZekthi: Reforma zgjedhore është një mashtrim i vjetër për të gënjyer publikun

Zekthi: Reforma zgjedhore është një mashtrim i vjetër për të gënjyer publikun

Analisti politik Fitim Zekthi ka komentuar zhvillimet aktuale politike në vend, duke deklaruar se Shqipëria nuk ndodhet në krizë për shkak të reformës zgjedhore, por për shkak të sistemit të kalbur politik, ku partitë janë të shkatërruara dhe institucionet të paralizuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Zekthi u shpreh se dakordësia mes palëve për të pasur një numër të barabartë anëtarësh në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore nuk është e sinqertë.

“Pavarësisht se duken të dakordësuar, palët nuk janë të sinqertë sepse prej më shumë se 30 vitesh kanë treguar që nuk kanë pasur vullnet të vërtetë për ndryshim,” – deklaroi Zekthi.

Sipas analistit, kriza që po kalon vendi është e natyrës sistemike dhe ka rrënjë në mënyrën si funksionon politika dhe shteti në tërësi.

“Shqipëria sot nuk është në krizë politike, ekonomike apo në krizë të sundimit të ligjit për shkak të reformës zgjedhore.
Vendi është në një krizë të thellë, të pashembullt në këto 35 vite, për shkak të vetë sistemit politik.
Institucionet janë të shkatërruara, partitë politike janë të shpartalluara, sundimi i ligjit dhe e drejta janë të paqena, sepse krimi dhe korrupsioni na ka pushtuar totalisht,” – theksoi Zekthi.

Zekthi kritikoi mënyrën se si janë hartuar ligjet zgjedhore ndër vite, duke thënë se ato kanë qenë gjithmonë produkt i dy partive të mëdha, që kanë kërkuar të sigurojnë avantazh elektoral.

“Ligji gjithmonë ka qenë brenda kuadrit demokratik, por përpjekjet për ta ndryshuar sërish janë një truk politik për të mashtruar publikun, sikur po përpiqen të rregullojnë krizën tonë të pashembullt politike,” – u shpreh analisti.

Në përfundim, Zekthi theksoi se zgjidhja nuk qëndron në ndryshime ligjore, por në largimin e partive politike nga procesi zgjedhor, duke kërkuar depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore.

“Gjëja e parë që duhet të ndodhë është që partitë të heqin dorë nga zgjedhjet.
Nuk duhet të kenë asnjë punë me procesin zgjedhor – as komisionerë, as administratorë, as përfaqësim në komisionet zonale,” – tha Zekthi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat