Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e digjitalizimit dhe thithjes së fondeve për ndërmarrjet eksportuese shqiptare, duke u bërë thirrje bizneseve që të mos humbasin kohë me procedurat burokratike në dogana.
Në një takim me përfaqësues të sektorit eksportues, Rama u shpreh se, edhe pse qeveria ka vendosur instrumenta financiare për të mbështetur eksportuesit dhe për të ulur rrezikun përballë bankave tregtare, përqindja e përdorimit të këtyre fondeve mbetet e ulët.
“Sa më shumë të fusim lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do të ruajmë vlerën e shtuar brenda kufijve tanë. Sidomos tek bujqësia, hapi tjetër është agro-përpunimi. Shqipëria duhet të ketë një rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm për grumbullimin dhe përpunimin sipas standardeve të larta”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se një nga sfidat kryesore për eksportuesit janë barrierat burokratike dhe problemet logjistike që rrisin kohën dhe kostot e transportit. Ai theksoi se digjitalizimi i procedurave doganore mund të eliminojë vonesat dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave.
“Le të shkojmë pa humbur shumë kohë, me zero burokraci në dogana, duke u mbështetur te digjitalizimi. Kemi vendosur instrumenta të rinj financiarë për ndërmarrjet eksportuese, për të ulur rrezikun përballë bankave tregtare. Por thithja e këtyre fondeve është ende e ulët. Qoftë për linjën e kreditimit të BSH, duhet të kuptojmë ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë. Linja e kreditimit është pa limit, por duhet të përfitojmë maksimalisht nga fondet në dispozicion”, shtoi Rama.
Rama nënvizoi se digjitalizimi dhe mbështetja financiare janë elementë kyç për rritjen e eksportit shqiptar, duke garantuar jo vetëm efikasitet në procedura, por edhe rritje të konkurrencës dhe vlerës së shtuar të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.



