Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit për zgjatjen e hetimeve ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me 6 muaj të tjerë.
Në një deklaratë të gjatë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe prokurorin Altin Troplini për, siç e cilësoi ai, “një akt kriminal dhe politik që dëshmon frikën dhe urrejtjen e Ramës ndaj opozitës”.
“Vendimi për të mbajtur në burg Ilir Metën është një vendim absurd dhe i paligjshëm. Meta mbahet në qeli pa prova, vetëm me urdhër politik. Rama dhe Troplini do të përgjigjen për këtë akt,” – tha Berisha.
Ai e cilësoi Shqipërinë si “narkodiktaturë” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë:
“U zgjatën hetimet edhe pse dosja është dorëzuar në gjykatë. Nuk respektohen më as ligjet, as konventat ndërkombëtare. Kjo është një bandokraci, e njëjta frymë që ka trashëguar nga babai dhe daja i tij, xhelatët e diktaturës.”
Berisha u shpreh gjithashtu se kjo situatë është një përpjekje për të goditur opozitën dhe paralajmëroi se “do të ketë përgjegjësi për këtë vendim”.



