Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me nënkryetarët e bashkisë, drejtues politik të qarqeve dhe kandidatët e qarkut të kryeqytetit.
Raportohet se Rama është shprehur:
“Nuk i dihet nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme në Tiranë tani apo pas dy vitesh.”
Në mbledhjen që zgjati rreth 30 minuta, kreu i qeverisë ka kërkuar nga drejtuesit politik dhe deputetët ngritjen e grupeve të punës për rifreskimin e burimeve njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit.
“Ky proces për Bashkinë Tiranë do të zhvillohet në një moment tjetër,” është cituar të ketë thënë Rama, duke përjashtuar aktualisht Tiranën nga ky proces për shkak të specifikës që ka – ku aktualisht detyra e kryetares mbahet me komandim.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur në disa bashki të vendit po përgatiten zgjedhje të pjesshme, ndërsa vendimi për Tiranën mbetet ende i paqartë dhe i lidhur me zhvillimet e mëtejshme politike dhe administrative.



