Presidenti Bajram Begaj ka nisur sot konsultimet me partitë politike sa i përket datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi ishin sot në Presidencë.
Në përfundim të takimit, Duka u shpreh se ka propozuar 4 majin si datë e mundshme kur mund të zhvillohen zgjedhjet.
“Kushtetuta parashikon periudhën nga 15 prilli deri në 15 maj, por se një nga datat, 11 maji nuk konsiderohet e përshtatshme për shkak të Samitit të Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në Tiranë. Kjo mund të ndikojë në zgjedhje, madje mund të ndikojë shumë”, u shpreh ai.
Ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se sheh si datë më të përshtatshme dy të dielat e fundit që lejon Kushtetuta për mbajtjen e zgjedhjeve, pra përkatësisht i bie 4 ose11 maji.
“Patëm një diskutim konstruktiv me presidentin për datën e zgjedhjeve që tashmë është një traditë. Datat janë të njohura, ka nevojë për më shumë kohë për votimin e emigrantëve, akoma s’ka dakordësi te sistemi rregullator për modalitetet dhe procedurat duhet të ketë një kohë të arsyetuar. Kjo ka qenë gjithmonë provokativë e partive të mëdha, edhe dakordësia për kodin zgjedhor u bë mes tyre. Atë ditë zgjedhin shqiptarët, gjithë partitë janë të barabarta. Do jetë edhe kohë e muajit të Ramazanit, që prapë duhet marrë parasysh nga pikëpamja kohore. Lëvizim mes datës 9 dhe dy datave të tjera, Unë dhashë si kërkesë apo opinion, është fakt që për sa kohë s’ka dakordësi për rregullatorin, për modalitete e votës së emigrantëve, duhet marrë parasysh që s’ka dakordësi. Do doja një datë sa më të arsyeshme, jo dita e parë. Me dakordësinë për mbylljen e listave, se kuptoj ku ishte avantazhi i partive të opozitës. Presim akoma një vendim të GJykatës Kushtetuese për listat e hapura. Data e zgjedhjeve është data kur gjithë partitë politike pushojnë dhe e merr pushtetin qytetari. S’mund të ndodhë që partitë përmes dakordësive dy palëshe kur ndërkohë jemi shumë aktorë ti japin avantazh zgjedhor vetes së tyre. Për të dhënë më shumë kohë, për të kuptuar modalitetet se si do të votojë diaspora. Mundësia e bërjes së procedurës dhe kohës për t’iu adresuar diasporës dhe pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë dy datat fundore më të përshtatshme sipas opinionin dhe mendimit të PDIU”, tha Idrizi për mediat.