Për herë të parë, diaspora do të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se procesi i dërgimit të fletës së votimit është “100% i sigurt”.
Celibashi tha në emisionin “Zëri i Diasporës” në RTSH 24, se vota do të dërgohet përmes shërbimit postar rekomande, një shërbim postar që ofron një nivel të lartë sigurie.
Kreu i KQZ-së theksoi se shërbimi postar ka detyrimin që fletën e votimit ta dorëzojë në dorën e individit personalisht, jo te ndonjë familjar. Në rast se diçka e tillë nuk ndodh, fleta e votimit rikthehet sërish në KQZ.
“Kjo është e sigurt 100%, sepse fleta e votimit do të dërgohet me postë-rekomande nga KQZ për këdo votues.
Operatori i shërbimit postar që besoj se do të jetë një nga emrat ndërkombëtarë të postës, ka detyrimin ta dorëzojë në dorën e individit personalisht fletën e votimit dhe pjesën tjetër të dokumentacionit.
Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, fleta e votimit do të kthehet sërish në KQZ. Pra nuk mund t’ja lërë fletën e votimit një familjari”, tha Celibashi.