Fletët e para të votimit të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë mbërritur në Rinas, ku po mbahen në një zonë sigurie.
497 persona kanë votuar deri më tani dhe e kanë dorëzuar fletën e plotësuar në postë.
Pasdite pritet të mbërrijë edhe një tjetër avion, që do të ketë edhe të tjera fletë me vota dhe rreth orës 19:00 të pasdites do të shkojnë në Parkun Olimpik, aty ku do të vendosen në kutitë, sipas qarqeve në të cilat do shkojë vota.
Zarfet grumbullohen në zonë sigurie dhe nuk hapen deri pasi të mbarojë procesi i votimit më 11 maj. Do të ketë kuti të grumbulluara sipas 12 qarqeve dhe nuk do ketë vonesa numërimi, pasi do ngrihen 12 tavolina numërimi, po sipas qarqeve.
Sipas procesit, DHL do t’ja dorëzojë thasët KQZ-së, e cila, pasi t’i hapë pakot një nga një e t’i nxjerrë nga zarfi plastik i verdhë, do të skanojë barcodet e zarfeve B.
Në sistemin elektronik do të shfaqen emrat e zgjedhësve që kanë kthyer fletën.
Në fund: Zarfet B, do të ndahen në kuti sipas qarqeve. Votat nuk do të hapen, deri më 11 maj kur të nisë votimi në Shqipëri.