Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, ka theksuar se forca politike që ai përfaqëson mbetet e qëndrueshme në parime dhe nuk përfaqëson asnjë lloj ekstremizmi.
Ai kritikoi Partinë Demokratike dhe Partinë e Lirisë për mungesë ideologjie dhe u distancua nga marrëveshjet politike që sipas tij kanë për qëllim vetëm rikthimin në skenë të figurave të vjetra, si Sali Berisha. Muçi e konsideroi Berishën si përfaqësues të oligarkisë së vjetër dhe si mbështetje indirekte për kryeministrin Edi Rama.
Lëvizja Bashkë do të garojë e vetme në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, të cilat u dekretuan nga Presidenti Bajram Begaj dhe janë caktuar të mbahen më 9 nëntor.
“Nuk kemi asgjë që të na bëjë ekstremist as në programin që u kemi prezantuar qytetarëve. PD është çngjyrosur nga çdo lloj ideologjie dhe PL nuk dihet se çfarë ideologjikë ka, kurse ne jemi koherentë me qëndrimet tona. Partitë e reja negociojnë, për çfarë, për një kandidat që do i shërbejë Berishës dhe e zgjedh ai. Nëse ne në programin tonë flasim për betonizimin dhe Berisha nuk thotë gjysmë llafi për këtë, kjo është kontradikta jonë kryesore. Berisha përfaqëson oligarkinë e vjetër të riciklimit. Kurse ajo që ne sugjerojmë është një model të ri politik. Berisha është paterica e shëndoshë e Ramës. Ne kërkonim shkarkimin e Veliajt që para shumë kohësh. Praktikisht ne një orë e më parë do dalim me kandidatin tonë, do hymë në këto zgjedhje. Ne i shohim këto zgjedhje si një mënyrë shumë të mirë për të shumëfishuar votat e vitit 2023 dhe për të shkuar drejt 2029-ës”, – tha Muçi.
Deklarata e tij nënvizon qartë distancimin e Lëvizjes Bashkë nga aleancat tradicionale opozitare dhe vendosmërinë për të ndjekur një strategji të pavarur në zgjedhjet e ardhshme.