Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësitë diplomatike.
Ndërkaq, sipas rezultateve paraprake nga 19 kutitë e numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 81.89% të votave të diasporës.
Lidhja demokratike sipas rezultateve paraprake për partitë ka marrë 7.2% të votave, PDK 5.75% të votave dhe Koalicioni i Haradinajt NISMA, 1.54% mbështetje.
Deri më tani janë numëruar 19 kuti nga 43 në total që kanë ardhur nga selitë diplomatike të botës ku kanë votuar 15352 shtetas.
Gjithsej në procesin e votimit jashtë vendit në ambasada dhe konsulata morën pjesë në votim 15,352 shtetas të Kosovës që u regjistruan për votim fizik në përfaqësi diplomatike. Pas numërimit të votave në përfaqësi diplomatike, do të nis numërimi i votave me postë të ardhura nga diaspora.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare deri më 5 mars dhe t’i certifikojë ato deri më 18 mars.