Presidenti Bajram Begaj ka nisur konsultimin me partitë politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Sot ka takuar krerët e katër partive të vogla opozitare, Fatmir Mediu, Agron Duka, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Shehi, për të cilëve ka dëgjuar propozimet se kur mund të mbahen zgjedhjet.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Begaj nuk ka komnetuar propozimet e partive të vogla që janë ndalur tek data 4 maj, por ka dhe një mesazh për një procesin parazgjedhor dhe zgjedhor.
“Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron.
Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre.
Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.
Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar.
Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit.
Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme.
Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë.
Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre”, shkruan Begaj.