NGA GËZIM TUSHI
Pyetja që mund të bëhet tani, pasi listat e kandidatëve për deputetë u shpallën është: Cila është arkitektura e grupeve parlamentare, sa ajo është kompatibile me nevojat, funksionet dhe sfidat imperative të kohës që jetojmë dhe urgjencave politike, ekonomike e sociale. Doemos, të gjithë qytetarët këto ditë kanë qenë me “lista në dorë”, kanë bërë gjykime e paragjykime, vlerësime objektive dhe hamendje të supozuara. Kjo situatë e përfshirjes paraprake të qytetarëve si “njerëz politikë” por edhe votues, është e lidhur me fatet e zhvillimit të vendit, por edhe me shpresën e realizimit të objektivave kombëtare, synimeve sociale, por edhe pritmërive e dëshirave të personalizuara.
Megjithatë, nga sa kam vëzhguar këto ditë, debati publik dhe mediatik ka marrë trajtë intensive të angazhimit, ndoshta si kurrë më parë të opinionit për të gjykuar vlerën e elitës së re parlamentare, bashkë me ndryshimet që presim si qytetarë, e cila është e lidhur me interesimin e natyrshëm funksionalitetin e grupeve, përgjegjësinë politike e sociale të kandidatëve të përzgjedhur, si pjesë e “listave të mbyllura” apo “listave të hapura”, lidhur me kualitetet personale, prestigjin publik, vlerat civile, intelektuale e morale të atyre që do votojmë në 11 maj. Historia e parlamentarizmit në këto tri dekada e gjysmë na ka dhënë material të bollshëm politik dhe sociologjik, për të bërë vlerësim të kurbës politike, kulturore e personalitetit social të deputetëve të mandatit që përfundoi.
Koha ka treguar se një pjesë edhe e atyre që janë zgjidhur për “herë të parë”, nuk kanë mundur të kristalizojnë identitet politik dhe për pasojë, pas entuziazmit të fillimit, gradualisht u përshtaten me tipologjinë e vjetër dhe patologjitë endemike të statusit të parlamentarit, jo si politikan, por thjesht si i “punësuar në parlament”. Edhe ata që në fillim u shfaqen entuziastë, pas një kohe shfaqin hezitim e mungesë gatishmërie për të shërbyer si parlamentar. Disa filluan të bëjnë distancimin dhe të ndihen të bezdisur nga lidhjet e tepërta e të “panevojshme” sociale. Duke u shkëputur dhe izoluar nga qytetarët edhe elektorati përfaqësues. Këto janë të vërteta të njohura, të konfirmuara nga “brumi” ekzistues parlamentar, nga performanca e mandatit që po mbyllet.
Kjo analizë e shpejtë e “patologjive” të disa individëve, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë pak, besoj se vlen tani që fushata ka hyrë në rrugën e zhvillimit dhe kur aktorët po bëhen gati të startojnë në garë. Besoj se na lejohet të bëjmë disa objeksione paraprake. Gjëja e parë që besoj se është kuptuar, apo që mund të qartësohet duke ecur në fushatë, është fakti që shoqëria ndodhet në një fazë të re të modernitetit social. Ajo dhe qytetarët me të drejtë kanë pretendimin e ligjshëm për një fushatë serioze, interaktive, me parametrat e politikës dinamike.
Shqipëria është në moment të rëndësishme, në fazën e akseleruar të plotësimit të kushteve, parametrave të integrimit europian. Ky moment kërkon në mënyrë imperative jo vetëm një klasë politike të re në moshë, por edhe konstruktive, me prirje konsensuale për të realizuar këtë hap të rëndësishëm, që përbën padyshim një nga idealet e mëdha kombëtare. Kjo është arsyeja pse fushata dhe sidomos kandidatët e rinj për deputetë duhet t’i japin një aks të ri komunikimit elektoral dhe propagandës politike, e majtë apo e djathtë qoftë. Besoj se misioni i Parlamentit që do dalë nga zgjedhjet e reja është të ndërtojë një politikë me parametra të reja, duke bërë atë kombëtare, të vërtetë, duke u larguar me vendosmëri nga “vogëlsirat militanteske”, agresionet verbale e fizike të përdoruara si qëllim në vetvete, që përgjithësisht jo vetëm nuk kanë dhënë produkt pozitiv parlamentar, por kanë marrë trajtën e “politikave penguese” me ndikim negativ në procesin e integrimit europian. Qytetarët presin tjetër gjë, padyshim edhe kompromise politike që janë të nevojshme apo të domosdoshme, për të arritur këtë objektiv madhor kombëtar. Boll me politikën e vjetër, intelektualisht e qytetarisht të “skaduar”. Tani deputetët duhet të kuptojnë imperativin madhor, se integrimi europian nuk bëhet me “politikë llogoresh” artificial, por me standarde e parametra të politikës moderne. Kjo do të thotë që deputetët, veçanërisht të rinjtë që janë të “painfektuar” nga polariteti artificial, duhet ë sjellin frymë të hapur politike, paradigma të reja të komunikimit në jetën parlamentare, duke sjellë standarde të transformuara të ndërtimit të raporteve midis debatit të natyrshëm, të nevojshëm, të domosdoshëm, por edhe maturisë politike, që gjithashtu është tejet imperative.
Sidomos në këtë mandat, do të ndihet si nevojë urgjente domosdoshmëria imperative për të ndërtuar politika parlamentare konsensuale, bashkë me nevojën për kompromise madhore të domosdoshme, të pashmangshme për asnjë motiv ekstra parlamentar. Sepse në fund të fundit, integrimi në BE është ndoshta i vetmi objektiv strategjik i përbashkët, për të gjitha forcat politike dhe qytetarët shqiptarë kudo që janë, këtu dhe në diasporë. Nga deputetët e rinj qoftë nga mosha, koherenca kulturore, shpejtësia e adoptimit social me ndryshimet e shpejta të “politikës likuide”, si tipologji e përshtatshme e kohës postmoderne, përtej ngushtësisë dhe ngurtësisë së kornizave të vjetra tradicionale ideologjike, pritet që bindjet politike “binare e specifike” të mos i deformojnë, duke i kthyer në “marioneta politike”, në “ushtarë të bindur” llogoresh, apo që performancën parlamentare ta vlerësojnë me elementët e dukjes, forcës fizike apo vulgaritetit verbal. Nuk është model për imitim, madje nuk është as në nderin e Parlamentit, që në mandatin që po mbyllet, shumë deputetë e kanë siguruar ekzistencën e tyre, në mungesë të dijes dhe soliditetit politik, vetëm me përdorimin vend e pa vend të “armës së konfrontimit”, herë verbal e pse jo edhe fizik, duke e reduktuar tipologjinë e debatit parlamentar thjesht në “debat luftarak”, pa sjellë gjykime politike adekuate, por thjesht inate militanteske, duke i dhënë parlamentit një “kapital politik” dhe “produkt” me cilësi të dobët.
Të ardhurit në Parlamentin e ri kanë misionin e veçantë, të cilin ata duhet ta kuptojnë jo në mënyrë fizike, apo si privilegj biologjik të ekzistencës së re moshore. Ky kapital fizik ekzistencial i deputetëve të rinj, duhet të kthehet në kontribut të vërtetë, konsistent për të përmirësuar strukturën aktuale të klasës politike. Madje, ata kanë përgjegjësi politike sui generis, sepse kontributi, qëndrimi politik, sjellja morale, komportimi social me publikun, mund të ndikojë në zbutjen e patologjisë së ndjenjës së mosbesimit që kanë qytetarët tanë për efiçiencën, vlerat e politikës aktuale. Nga ata presim ta ngrenë nivelin politik dhe intelektual të aulës së parlamentit. Jo si qëllim në vetvete, as për të afishuar kulturë teorike e luciditet intelektual, por që bindjet e tyre (të natyrshme në orientimin e qëndrimit të tyre politik) t’i shoqërojnë, t’i sjellin të armatosura jo me dhunë e arbitraritet të verbër militantesk, por me forcën e logjikës politike dhe argumentit të vërtetë, mbushamendës. Doemos jeta parlamentare e kërkon “frymën kriticiste”, si element thelbësor i transparencës demokratike, duke zbutur patologjinë e njohur të konformizmit dhe oportunizmit politik të disa deputetëve, apo atyre që kanë përdorur mënyra sjelljeje të konsideruar si tregues për “meritën e besnikërisë”, si instrument moral dhe politik, si mjet për të rruajtur “unitetin e brendshëm”, uniformitetin parlamentar. Të shoqëruara shumë herë edhe me sjellje e qëndrime mediokre. Kjo është arsyeja pse në shumë raste, debatet parlamentare nuk kanë pasur unitet midis personalitetit të deputetit, ekzistencës së fakteve dhe ligjërimit politik.
Aq më keq kur në parlament deputetët në vend që të sjellin ide për progres, bëjnë anatemime reciproke, shoqëruar me humor banal, duke sjellë vetëm neurotizëm, zymti sociale në jetën publike. Këto edhe shumë gjëra të tjera me natyrë fizike dhe metafizike, politike dhe morale, shpeshherë e kanë vënë në krizë legjitimitetin e disa deputetëve në sytë e opinionit publik. Unë besoj se ky parlament dhe kjo strukturë e deputetëve do mund të zbusë distancën e njohur të elitës politike, që në jo pak raste ka qenë larg cilësive dhe performancës së elitës intelektuale. Të kuptohemi, deputeti është politikan dhe jo administrator apo shkencëtar, por ama jo dhe vetëm thjesht në nivelet e ngushta të dijes së kufizuar të një militanti empirik jo intelektual, por nga ai kërkohet të jetë politikisht profesionist, në mënyrë që të jetë kontributiv në hartimin dhe realizimin e programeve, politikave dhe strategjive. Është kërkesë e qytetarëve që performanca etike, karakteri politik, qytetar dhe intelektual i deputetit të jenë të përputhura, në mënyrë që të shmanget “çarja dikotomike”, midis personalitetit dhe mënyrës së ligjërimit.
Është koha për forma, paradigma, mënyra të reja të diskursit politik e parlamentar. Qytetarët janë “sy e veshë” dhe presin shumë nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sidomos nga deputetët e rinj, duke besuar se kjo që po ndodh është jo thjesht me ndikim sasior, në përmasën numerike të “rotacionit” të një pjese të deputetëve aktualë. Unë besoj se duke e parë në thellësi këtë proces dhe duke vlerësuar sociologjikisht atë që po ndodh, duket se jemi përballë një “revolucioni të heshtur”, me efekte strategjike, mesazh të qartë për nevojën e thelluar të qarkullimit më të shpejtë të elitës politike. Për hir të së vërtetës këtë imperativ të kthyer në objektiv konkret, kësaj radhe e kanë iniciuar socialistët, të cilët kanë bërë hap të guximshëm dhe reagim konkret, qoftë edhe me qejfmbetje, lidhur me nevojën e freskisë së energjive, kapaciteteve intelektuale e politike. Këtë orientim, me sa duket të pakthyeshëm e strategjikisht të pandryshuar edhe në të ardhmen, e artikuloi qartë lideri Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e kapërceu “rubikonin” e pengesave të atyre që nuk e kuptojnë imperativin, nevojën e ndryshimit të statusit politik, përbërjes së klasës politike e parlamentare. Dinamika e politikës shqiptare në këto momente është tmerrësisht e akseleruar. Ajo nuk është për njerëz që vegjetojnë, apo që kanë mbetur me “sahat politik” që tregon “orën e saktë” që në kohën kur u zgjodhën. Besoj se deputetët e rinj e dinë, ose duhet ta mësojnë, se politika është vërtet edhe art, por Parlamenti nuk është as kinema e as “Big Brother”. Ky “revolucion i heshtur” duhet të ndodhte. Ishte në kohë. Boll më me stilin e fjalëve pa bukë, pa substancë politike, boll me spektaklet e shëmtuara banale të forcës fizike, fjalorit të ndyrë e antietik, boll me politikat e dikotomisë false e “majtë e djathtë”.