Dritan Rexhepi ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Posaçme lidhur me lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e shënuar në janar 2020.
Rexhepi tha se në fund të vitit 2019 ka qenë në burg në Ekuador dhe lajmin për vjedhjen e nje sasie droge në portin Portsmouth të Londrës e ka marrë vesh nga mediat në Shqipëri.
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do me pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj qe vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firenzes, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njejtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për te dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka qe kishte ndodhur në Shqipëri”, tha Rexhepi.
Ai tregoi më tej se përmes një të afërmi të tij kishte rënë në kontakt me gazetarin Artan Hoxha të cilit i kishte kërkuar të publikonte disa pamje që tregonin se nuk ishte personi me emrin Gramoz që po akuzohej në media lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
“Nga familjarët mora vesh qe akuzohesha për një rrëmbim të një personi qe ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjari tim, nuk mora dot. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë qe ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Ju keni hipur në trenin e gabuar dhe kërkoni te shkoni atje ku doni ju. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ça bëj unë, jo ça thonë ta tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet? Më thanë për Jani Prengën, familjarët e mi, burri i motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar te prokuroria, dhe unë fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara. Ndërkohë që kunati im shkoi te Prokuroria e Tiranës për këtë çështje, takoi një gazetar dhe i tha dy gjëra. O zoti gazetar i thashë, nuk jam unë personi qe po flitet. Fola me Artan Hoxhën. I dhashë disa foto dhe ai i publikoi”, tha Rexhepi.
Pas kësaj avokatja e Dritan Rexhepi ka kërkuar largimin e gazetarit Artan Hoxha nga salla për efekt te dëshmisë.
“Gazetarët po më bënin copa në media. Problemi ishte i hasmërisë sepse po akuzohesha se kisha marrë një person peng. I thashë Tan Hoxhës, o zotëri merri këto pamjet dhe publikoji sepse nuk jam unë. Merri fotot të shtëpia i thashë, qe familjarët të kuptojnë që nuk jam unë. Unë nuk jam Gramozi nga Vlora që flitet aty. Gramoz nga Vlora ka 500 vetë. Pa bërë asnjë lloj hetimi akuzohem unë. Unë kisha një emër, Dritan. Emrin Gramoz e kam pasur në fëmijëri, deri në moshën 25 vjeç. Vetëm familjarët me thërrisnin Gramoz. Nuk jam i martuar, kam fëmije me një ekuadoriane. Kam dy fëmijë 5 dhe 3 vjeç…
Me Artan Hoxhën nuk jam takuar asnjëherë nga afër. Familjari im e takoi rastësisht dhe pinë nje kafe. Nuk kam pasur kontakte të tjera me asnjë lloj gazetari. Për Ndrek Prenga nuk kam dëgjuar ndonjeherë. Vetëm në gazeta kam lexuar. As për Astrit Prengën, në asnjë rrethanë. Me Gentjan Doçaj nuk kam njohje. Artan Doçaj nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Aldo Majnishta jo. Geraldo Martini jo. Asnjë shtetas të njohur si “Doda” nuk njoh. Telefon në burg nuk kam pasur, nuk punonin për shkak të antenave”, vijoi dëshminë e tij Rexhepi.