back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetZhdukja misterioze dhe kthimi i Daniel Shimës/ Policia nis hetimet për rrethanat

Zhdukja misterioze dhe kthimi i Daniel Shimës/ Policia nis hetimet për rrethanat

Pas më shumë se 24 orësh pasigurie dhe ankthi për familjarët, ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, është kthyer në banesë.

Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht se 34-vjeçari është gjetur dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet e zhdukjes së tij.

Shima ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë, pasi sipas familjarëve të tij, kishte dërguar një mesazh të çuditshëm ku shkruante: “Po më arrestojnë…”. Pas këtij komunikimi, lidhja me të ishte ndërprerë dhe familja kishte ngritur alarmin duke bërë kallëzim në polici.

Ngjarja mori një jehonë të madhe, jo vetëm për shkak të profilit të Shimës si një ish-zyrtar i lartë i AKSHI-t, por edhe për lidhjet që ai kishte pasur me hetimet e SPAK për tenderat e kësaj agjencie. Kujtojmë se në mars të këtij viti, menjëherë pasi drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u thirr nga SPAK për të dëshmuar, Shima u shkarkua nga posti i tij.

Për momentin, Policia nuk ka dhënë detaje nëse zhdukja lidhet me presione apo kërcënime, apo nëse bëhet fjalë për një situatë personale. Hetimet po vazhdojnë, ndërsa burime pranë familjes bëjnë të ditur se Shima ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

Kthimi i tij shënon fundin e ankthit për familjarët, por hap një seri pyetjesh të reja për rrethanat e kësaj zhdukjeje misterioze, në një kohë kur emri i tij është përmendur edhe nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në dosjet e tenderave të AKSHI-t.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat