Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 13 vatra zjarri në qarqe të ndryshme të vendit, të gjitha të izoluara me sukses nga strukturat e Mbrojtjes Civile, por disa zona vijojnë të mbahen nën monitorim të vazhdueshëm për rrezik të mundshëm riaktivizimi.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 118 forca operacionale, 22 automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera ndihmëse, ndërsa Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile po ndjek nga afër zhvillimet në terren.
Situata sipas qarqeve
Vlorë: Zjarre të shuara në Llaman (Himarë), Amonicë (Selenicë) dhe lagjen “Ish-Fidanishtja” në Vlorë. Angazhim i lartë i zjarrfikësve dhe strukturave pyjore.
Lezhë: U neutralizua vatra në Ndërfan (Mirditë), por zona mbetet nën vëzhgim.
Kukës: U shua zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Mamëz (Kolsh), mbetet nën kontroll.
Elbasan: Janë izoluar flakët në Shijon (Elbasan) dhe Mali i Dukës (Prrenjas).
Tiranë: U izolua zjarri në Vishnje (Vaqarr), rrethanat e rënies së zjarrit të paqarta.
Durrës: U shuan vatrat në Borizanë (Krujë), ku pati dëme në një bazë ushqimore për bagëti, dhe në Hamallaj (Sukth).
Fier: Zjarri në Sheqishtë (Patos) u izolua pas ndërhyrjes së forcave.
Gjirokastër: Forcat operacionale ndërhynë për shuarjen e flakëve në zonën midis Valarës dhe Dhoksatit (Lunxhëri).
Paralajmërim nga IGJEUM
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, niveli i rrezikut për zjarre është i lartë në Fier, ndërsa rrezik i moderuar në qarqet e tjera. Në disa zona specifike të Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Vlorës, rreziku mbetet i lartë në mënyrë të lokalizuar.
Thirrje për qytetarët
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apelojnë për kujdes maksimal, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta. Çdo vatër zjarri duhet të raportohen menjëherë në numrat e emergjencës, për të shmangur përhapjen dhe dëmet e mundshme.