Situata e zjarreve në vend vijon të jetë në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet raportojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 8 vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë, të cilat janë izoluar plotësisht falë ndërhyrjes së strukturave të Mbrojtjes Civile.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, vatrat janë regjistruar në qarqet:
Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe Berat.
Në operacionin për shuarjen e tyre u angazhuan:
78 forca operacionale,
11 automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera gërmuese dhe transportuese.
Rreziku mbetet i lartë – paralajmërim për Fierin
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme qarku Fier paraqet nivel rreziku “TË LARTË” për zjarre në mjedise të hapura, ndërsa qarqet e tjera mbeten në nivel rreziku “TË MODERUAR”.
Thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga qytetarët
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se konstatojnë tym apo flakë në zonat pyjore dhe rurale.