Seanca e fundit parlamentare e kësaj legjislature u zhvillua këtë të enjte nën tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas zjarrit që përfshiu fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit.
Debati u ndez menjëherë në nisje të seancës, kur deputetja demokrate Zheni Gjergji ngriti shqetësimin për gjendjen mjedisore të rënduar në Elbasan, duke e konsideruar zjarrin si pasojë direkte të dështimit të projektit të inceneratorëve. Ajo kërkoi që Kuvendi të merrte përgjegjësi për situatën, por ndërhyrja e menjëhershme e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila i kërkoi t’i përmbahej procedurës, solli përplasje verbale mes palëve.
“Ky zjarr është një sinjal alarmi për krizën mjedisore dhe dështimin e inceneratorëve që kanë konsumuar miliona euro nga taksat e qytetarëve,” u shpreh deputetja Gjergji, përpara se t’i ndërpritej fjala nga Spiropali.
Më tej, deputetja Jorida Tabaku kërkoi zyrtarisht zhvillimin e një debati parlamentar për tre inceneratorët: atë të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës. Sipas saj, projektet kanë dështuar të funksionojnë, ndonëse janë konsumuar 430 milionë euro fonde publike.
“Që nga viti 2017 kemi kërkuar një diskutim të hapur për këto projekte. Asnjë incenerator nuk funksionon, ndërkohë që fondet janë shpenzuar në mënyrë të dyshimtë. Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përballë një skandali të tillë financiar dhe mjedisor,” deklaroi Tabaku.
Kryetarja Spiropali theksoi se çdo propozim për ndryshim të rendit të ditës duhet bërë sipas rregullores, duke iu drejtuar opozitës që të ndjekë procedurat për hapjen e një debati zyrtar.
Një tjetër reagim i fortë erdhi nga deputeti demokrat Qani Xhafa, i cili shkoi edhe më tej, duke e cilësuar zjarrin në fushën e mbetjeve si një akt të qëllimshëm për zhdukjen e provave në lidhje me abuzimet e dyshuara me fondet publike.
“Zjarri ra vetëm një ditë pasi prokuroria thirri 21 persona në lidhje me hetimet për inceneratorin. Është një përpjekje për të shkatërruar gjurmët. Kryeministri duhet të shkojë në vendngjarje dhe t’u kërkojë falje qytetarëve të Elbasanit. Fusha duhet të mbyllet dhe të gjendet një zgjidhje e sigurt për mbetjet urbane,” tha Xhafa.
Seanca e fundit parlamentare u mbyll pa një vendim konkret për debatin mbi inceneratorët, por pritet që çështja të mbetet në qendër të vëmendjes gjatë fushatës zgjedhore dhe në legjislaturën e re.