Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, e cila në një seancë në Komisionin e Ligjeve është shprehur se institucioni që drejton nuk ka personel ndihmës për të përgatitur komentet mbi Kodin e ri Penal.
Manjani e ka cilësuar këtë deklaratë si tregues të “cekësisë dhe burokratizimit” që, sipas tij, Reforma në Drejtësi i ka sjellë sistemit, duke krijuar institucione që ai i quan “parazite” në nivel kushtetues.
“Sinqerisht, nuk e kuptoj fare logjikën e kësaj përgjigjeje. Zonja kërkon ndihmës që t’i përgatisin mendimet për projekt-kodin penal?! Po nëse këtë punë do ta bëjnë të punësuarit që ajo kërkon, për çfarë na duhet ajo dhe KLP-ja?”, – shkruan Manjani.
Ai thekson se anëtarët e KLP-së, si juristë dhe prokurorë, duhet të kenë mendime profesionale personale mbi çështje të tilla, dhe jo të kërkojnë staf për t’i ndihmuar në formulimin e tyre.
“KLP nuk e ka detyrë të japë opinione për projektligje, por çdo jurist, aq më tepër pjesë e sistemit, duhet të ketë një mendim profesional. Sipas logjikës së zonjës, ne që kemi një mendim duhet të kërkojmë personel që ta japim?!”, – vijon ai me ironi.
Në reagimin e tij, Manjani e sheh këtë situatë si pasojë të mënyrës si është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilin e cilëson si organ me privilegje të panevojshme, që duhej të kishte rol vetëm konsultativ pranë Prokurorit të Përgjithshëm.
“Kanë faj ata që ngritën në nivel kaq të lartë institucional forume që duhej të ishin thjesht konsultative. I kanë bërë organe kushtetuese me salltanete, paga e privilegje, dhe tani kërkojnë personel për të menduar si profesionistë”, – shprehet Manjani me sarkazëm.
Në fund, ish-ministri e mbyll reagimin e tij me tone ironike ndaj sistemit të ri të drejtësisë:
“Le ta shohin vetë ata që e shpikën këtë ‘mrekulli’. Ta gëzojnë shpikjen! Dhe, urgjentisht, t’i japin edhe buxhet e personel, se zonja s’mendon dot pa to!”



 
                                    