Bashkëshortja e kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Ajola Xoxa, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK, ku është njoftuar zyrtarisht për akuzat që rëndojnë ndaj saj në lidhje me çështjen e korrupsionit dhe pastrimit të parave në të cilën është përfshirë edhe Erion Veliaj.
Xoxa u shoqërua nga avokati i saj mbrojtës, Maks Haxhia, dhe pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, u konfirmua se pala mbrojtëse ka marrë materialet hetimore. Pas njohjes me dosjen, do të vendoset nëse do të ketë deklarime shtesë ose paraqitje të një memoje mbrojtëse.
Refuzimi i ofertës së SPAK për dokumentet me pagesë
Avokati Haxhia ka kërkuar kopjet e plota të materialeve hetimore, por sipas tij, SPAK ka vendosur kusht dorëzimin e tyre kundrejt pagesës, një ofertë që është refuzuar nga mbrojtja. Avokati e ka cilësuar këtë si një pengesë në të drejtën për mbrojtje efektive.
Veliaj nuk do paraqitet personalisht në SPAK
Në orën 11:00 të kësaj të mërkure, pritet që akuza të komunikohet edhe ndaj Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim prej 5 muajsh, që prej datës 10 shkurt. Ai nuk do të paraqitet fizikisht në SPAK, pasi ka firmosur më herët një deklaratë për përfaqësim ligjor nga avokatët e tij.
Hetimet ndaj çiftit Veliaj–Xoxa janë drejt përfundimit, ndërsa SPAK ka vendosur datën 29 shtator si afat final për dërgimin e dosjes në gjykatë.
Afera me zyrat në “Sky Tower” dhe lidhja me biznesmenin Mirton Lika
Në kuadër të kësaj çështjeje, SPAK ka komunikuar akuzë edhe ndaj biznesmenit Mirton Lika, nën dyshimin për “fshehje të të ardhurave”.
Sipas hetimeve, Lika i ka vënë në dispozicion Ajola Xoxës një zyrë në godinën luksoze “Sky Tower” në Tiranë, me kontratë huaje përdorimi. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme dyshon se kjo marrëveshje ka qenë një formë e kamuflimit të përfitimeve të paligjshme dhe mund të jetë përdorur për pastrim parash.
Në këtë ndërtesë, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle disa muaj më parë. Zyra dyshohet se është përdorur për aktivitetet e saj private, përfshirë galerinë artistike “Harabel” dhe zyrën ligjore “Partners Law”.
Akuzat ndaj Ajola Xoxës dhe Erion Veliajt
Çifti përballet me akuza serioze që përfshijnë:
Korrupsion pasiv në bashkëpunim
Fshehje të pasurisë
Pastrimi i produkteve të veprës penale
Ajola Xoxa është nën masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa Veliaj ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit.