Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, Ervin Salianji kritikoi performancën e partisë së tij, duke theksuar se pavarësisht skandaleve qeveritare, PD nuk ka arritur të jetë bindëse dhe të fitojë zgjedhjet.
Salianji u ndal tek zgjedhjet e pjesshme lokale, ku, sipas tij, pushteti ia ka dalë të mobilizojë votuesit e vet, ndërsa opozita nuk ka arritur të marrë besimin e qytetarëve.
“Njerëzit kanë nevojë për besim dhe për t’iu rikthyer shpresa. Ky është momenti që PD të rikthehet te baza dhe të ringrihet si një alternativë reale,” tha Salianji.
Takimi në Durrës është pjesë e një serie aktivitetesh ku Salianji po bashkëbisedon me demokratët dhe strukturat e partisë për forcimin e opozitës dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme zgjedhore.



