Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur akuza të forta ndaj procesit të votimit të diasporës në Itali, duke e cilësuar si një farsë zgjedhore të orkestruar nga mazhoranca. Në një deklaratë të bërë në platformën e tij, Berisha tha se rreth 15 mijë e 474 vota të dërguara nga Shqipëria për emigrantët shqiptarë nuk mbërritën kurrë në destinacion, duke i cilësuar ato si “të mbytura në Adriatik”.
Sipas Berishës, nga 91 mijë zarfe të nisura për votuesit shqiptarë të regjistruar në Itali, vetëm 75 mijë kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa pjesa tjetër ka humbur pa asnjë shpjegim të qartë.
“Zarfe të dërguar në Itali janë 91 mijë, por në KQZ kanë mbërritur vetëm 75 mijë. Kjo do të thotë se mbi 15 mijë vota janë zhdukur për arsye politike,” – u shpreh Berisha.
Ai publikoi gjithashtu një analizë të kryer mbi 353 fatura dorëzimi nga kompania postare që shpërndau fletët e votimit, ku rezulton se, 7% e votave nuk janë dorëzuar fare, 3% e fletëve nuk kanë firmë konfirmimi, në 21% të rasteve, kanë firmosur persona të tjerë, jo votuesit përkatës si dhe 15% kanë pasur shenja të dyshimta në vend të firmës.
“Në total, në rreth 50% të rasteve nuk faktohet që votuesi ka marrë fletën. Votat janë dorëzuar në destinacione të panjohura, madje në disa raste, sipas nesh, në zyrat e Partisë Socialiste,” – tha Berisha.
Ai e konsideroi këtë një tjetër dëshmi të degradimit të procesit demokratik dhe theksoi se rikthimi i votës së lirë është çështje jetike për të ardhmen e vendit.
“Kryetemë e çdo dalje në këtë platformë do të jetë mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë nga një bandë armiqësore ndaj saj, e kryesuar nga Edi Rama dhe narkosit e tij,” – përfundoi Berisha.



