Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor në Elbasan, ku prezantoi prioritetet e Buxhetit për vitin 2026, duke theksuar rritjen e mbështetjes financiare për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agro-përpunimin dhe agroturizmin.
Sipas Kryeministrit, për vitin e ardhshëm parashikohet një fond prej 16.3 miliardë lekësh, i cili do të shërbejë jo vetëm për skemat mbështetëse të prodhimit, por edhe për pensionin rural dhe trajnimin e fermerëve, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
“Ky është një nga mandatet më të vështira të qeverisjes, për shkak të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por qytetarët na kanë dhënë mbështetje të fortë, duke na dhënë 83 mandate për të përmbyllur me sukses negociatat me BE-në dhe për të vendosur vulën europiane transformimeve të nisura tre mandate më parë,” u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e partneritetit të fortë mes fermerëve dhe qeverisë, duke theksuar se buxheti për bujqësinë është dyfishuar krahasuar me vitin aktual. Ai prezantoi edhe tregues konkretë të rritjes së sektorit:
Prodhimi në sera është trefishuar, duke arritur në 220 hektarë;
Prodhimi i perimeve ka shkuar pranë 1.5 milionë tonëve;
Eksportet bujqësore janë diversifikuar dhe vetëm në 9-mujorin e parë kanë tejkaluar vlerën e vitit të kaluar, rreth gjysmë miliard euro;
Raporti eksport–import është përmirësuar ndjeshëm, me objektivin 1 import – 2 eksporte.
Rama garantoi gjithashtu se fondet për vitin e ardhshëm do të jenë dukshëm më të larta, veçanërisht për Skemën Kombëtare të Mbështetjes, dhe premtoi që të gjitha pagesat për fermerët do të përfundojnë brenda këtij viti.



