Partia Socialiste ka propozuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për Reformën Kushtetuese, i cili do të përfshijë edhe çështjet që lidhen me sistemin zgjedhor.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar ndryshime të mundshme, duke përfshirë edhe rishikimin e numrit të deputetëve. Ai theksoi se këto çështje mund të trajtohen në mënyrë të përmbledhur në një komision të përbashkët për Reformën Kushtetuese.
“Nëse ka dëshirë nga ana juaj, ne kemi hedhur një ide për ndryshimin e numrit të deputetëve. Këto çështje mund t’i përmbledhim në një komision tjetër të Reformës Kushtetuese bashkë me sistemin zgjedhor,” u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, çdo ndërhyrje duhet të jetë pjesë e një pakete të plotë kushtetuese dhe jo e fragmentuar, duke bërë thirrje për arritjen e një konsensusi mes palëve për çështjet që prekin interesat e përbashkëta.
Në lidhje me referendumin, Gjiknuri theksoi se ai nuk është objekt i këtij komisioni, por mbetet një çështje që mund të diskutohet më tej në vijim.
“Sa i përket referendumit, nuk është objekt i këtij komisioni, por do ta diskutojmë edhe me ju. Sistemi zgjedhor do të trajtohet së bashku me ndryshimet e tjera kushtetuese dhe për këtë japim konsensusin tonë,” deklaroi ai.
Në përfundim, Damian Gjiknuri bëri thirrje për bashkëpunim dhe dialog politik për të çuar përpara reformën.



