Deputeti socialist Agron Malaj ka folur për herë të parë lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, ku akuzohet si ish-komandant i ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit”.
Malaj mohoi kategorikisht ekzistencën e kësaj strukture, duke e cilësuar si shpikje të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Keni vite që merreni me familjen time. Grupi i Zjarrit nuk ka ekzistuar kurrë. Ju jeni grup i zjarrit. Unë kam dhënë shpjegimet e mia dhe nuk i heq asnjë presje”, tha ai.
Deputeti shtoi se ka qenë komandant i seksionit 4 dhe se përgjegjësia e tij ka qenë vetëm mbi strukturën që ka drejtuar, ndërsa asnjë nga efektivët e tij nuk ka pasur lidhje me ngjarjet e 21 Janarit 2011.
“E keqja është që e baltosën Gardën. E kam për nder të kem qenë gardist sepse e kam kryer punën time me përkushtim”, u shpreh Malaj, duke përmendur edhe përvojën e tij politike në Dibër, ku sipas tij mori mbi 15 mijë vota kundërshtimi.
Ai përfundoi duke i bërë thirrje drejtësisë që të marrë në dorë çështjen e 21 Janarit: “Lërjani 21 Janarin drejtësisë dhe ta shohim sesi do të jetë e vërteta”.
Deklarata e Malajt vjen në një moment kur debatet politike dhe akuza për ngjarjet e 21 Janarit mbeten të ndjeshme dhe të polarizuara në vend.



