Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar çdo dijeni për ekzistencën e një serveri të Kryeministrisë për vëzhgimin e ngjarjeve të 21 Janarit.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se nëse Garda ka pasur server në institucionet shtetërore, kjo është një çështje e brendshme e saj, pasi ajo ka përgjegjësi për sigurinë në Kryeministri, Presidencë dhe ministri të tjera.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Kryeministria nuk ka pasur asnjë lloj serveri për vëzhgimin. Në qoftë se Garda ka pasur serverin aty, është punë tjetër,” tha Berisha.
Ai shtoi se hetimet për ngjarjet e 21 Janarit janë kryer plotësisht dhe kanë sjellë dënime përkatëse, duke theksuar se nuk është thirrur asnjëherë gjatë këtyre hetimeve.
“Çfarë ka ndodhur është hetuar. Është një hetim i plotë, i bërë për vite dhe ka dënime përkatëse. Kështu që unë nuk jam thirrur asnjëherë,” deklaroi Berisha.



