Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka ngritur alarmin për mungesën e kushteve bazë në ambientet e institucionit që ai drejton.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare dhe Buxhetin, Biba tha se situata në institucion ka arritur në nivele shqetësuese, deri në problematika higjienike.
“Ky institucion është krijuar në vitin 2004 me 13 punonjës dhe që prej asaj kohe nuk është zhvendosur nga ambientet aktuale. Sot jemi 49 punonjës dhe vijojmë të punojmë në të njëjtat kushte”, deklaroi Biba.
Ai shtoi se mungesa e hapësirave ka krijuar një situatë absurde: “35 zonja që shkojnë në një tualet. Është banale që e them, por ka ardhur momenti për ta thënë sepse nuk mban më.”
Biba tha gjithashtu se ambientet e institucionit janë kthyer në arkiva, pasi mungon një hapësirë e posaçme për ruajtjen e dokumenteve. “Në vendin ku bëjmë mbledhje, mbajmë edhe dosje. Muret janë plot me dokumente që nuk duhet të qëndrojnë ashtu, por nuk kemi ku t’i vendosim”, shtoi ai.
Sipas Bibës, situata kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar kushte minimale pune për punonjësit e Autoritetit të Konkurrencës.



