Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë, duke deklaruar se gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit, janë shpenzuar mbi 500 milionë euro nga fondet publike për të ndikuar elektoratin, në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Në një dalje publike, Berisha tha se gjatë periudhës janar–11 maj 2025, e cila sipas nenit 91/3 të Kodit Zgjedhor ndalon prokurime dhe aktivitete që mund të ndikojnë te votuesit, janë zhvilluar mbi 4500 ngjarje dhe veprimtari, përfshirë edhe ngjarje madhore si “Giro d’Italia”, e cila sipas tij është subvencionuar me 7 milionë euro në prag të votimeve.
“Ky është një ndër aspektet më kriminale të farsës elektorale. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që unë e quaj Fondi i Grabitjes, ka shpërndarë 10 milionë euro në këtë periudhë vetëm për qëllime elektorale”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, vetëm bashkitë kanë prokuruar mbi 57 milionë euro, duke përfshirë edhe blerje të përqendruara me vlerë 14.5 milionë euro, për të cilat Berisha tha se “janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepra penale”.
Ai e akuzoi drejtpërdrejt drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe zëvendësin e tij, duke thënë se ata “ligjërojnë paligjshmërinë” dhe “mbrojnë qeverinë nga ndëshkimi”.
“Nuk kemi fakte e prova”, është sipas Berishës justifikimi i Altin Troplinit, një emër që ai përmend si “ligjërues të shkeljes së ligjit”.
Berisha përmendi gjithashtu edhe raste konkrete të tenderëve abuzivë, përfshirë një të dhënë prej 500 milionë lekësh për një manual kuzhine, dhënë – sipas tij – djalit të një zyrtari nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Raporti i OSBE/ODIHR, për të cilin Berisha tha se evidenton qartë përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës, citohet si provë për shkeljet e pretenduara të qeverisë dhe institucioneve të tjera publike.