back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 25 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia51 nene të reja në Kodin Penal/ Kur do të miratohet?

51 nene të reja në Kodin Penal/ Kur do të miratohet?

Kodi Penal i vitit 1995 pritet të ndryshojë sërish, edhe pse një Kod i ri është hartuar dhe gjendet në fazë diskutimi.

Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim një paketë ndryshimesh të rëndësishme, që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe forcimin e luftës ndaj korrupsionit, terrorizmit, abuzimeve seksuale dhe krimeve mjedisore.

Sipas Ministrisë, ndryshimet janë të domosdoshme për të përmbushur objektivat e integrimit evropian dhe për të forcuar kuadrin penal në fusha si pastrimi i parave, trafikimi i qenieve njerëzore, abuzimi seksual i fëmijëve, ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet me qëllim.

Dënime të reja për ndërtimet pa leje dhe zyrtarët publikë

Drafti i ri i Kodit Penal parashikon rreth 7 vite burg për funksionarët publikë të përfshirë në ndërtimet pa leje dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet.
Nëse ndërtimi kryhet brenda zonave të mbrojtura, dënimi shkon deri në 10 vite burg.

Në mënyrë të veçantë, zjarrvënësit që synojnë ndryshimin e destinacionit të tokës rrezikojnë deri në 15 vite burg.
Po ashtu, toka në zonat e prekura nga zjarri nuk mund të ndryshojë destinacion për 30 vjet.

Një tjetër risi në këtë draft është kriminalizimi i parkimit në rresht të dytë që pengon qarkullimin e mjeteve të emergjencës apo këmbësorëve — sjellje që do të konsiderohet vepër penale e dënueshme me gjobë ose burg deri në 1 vit.

Abuzimi me fondet e BE-së dhe trafiku i drogës

Në projektligj futet një dispozitë e re që ndëshkon mashtrimin me fondet e Bashkimit Evropian.
Kushdo që keqpërdor fondet e BE-së përballet me deri 5 vite burg, ndërsa për shuma mbi 50 mijë euro, dënimi rritet deri në 10 vite.

Ndërsa për trafikun dhe prodhimin e narkotikëve në sasi të konsiderueshme ose që shkaktojnë dëme serioze për shëndetin e personave, dënimi shkon deri në 20 vite burg.

Mbrojtja e fëmijëve dhe ndalimi i përhershëm për abuzuesit

Ndryshimet e reja parashikojnë ashpërsim të dënimeve për abuzimet seksuale dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Autorët e pornografisë apo prostitucionit të të miturve do të ndëshkohen rëndë, duke iu ndaluar përgjithmonë ushtrimi i çdo profesioni që përfshin kontakt me fëmijët.

Kur një fëmijë nën 14 vjeç kërcënohet apo shtyhet drejt prostitucionit, dënimi arrin deri në 15 vite burg.

Nëse autori është anëtar familjeje apo zyrtar publik, dënimi nuk mund të jetë më i ulët se 15 vite.

Edhe udhëtimet për qëllime seksuale ndaj të miturve, me ose pa shpërblim, parashikohen të ndëshkohen me deri në 6 vite burg.

Terrorizmi dhe veprat e reja penale

Drafti fut për herë të parë në Kod edhe vepra të reja që lidhen me terrorizmin, si:

provokimi publik për kryerjen e akteve terroriste,

marrja e trajnimit për terrorizëm,

udhëtimet për qëllime terroriste dhe

organizimi apo lehtësimi i tyre.

Për këto vepra, dënimi minimal është 15 vite burg.

51 nene të reja për forcimin e shtetit ligjor

Projektligji përmban 51 nene dhe, sipas Ministrisë së Drejtësisë, synon të forcojë mesazhin e Shqipërisë për një angazhim të pakthyeshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ndryshimet synojnë të rrisin besueshmërinë ndërkombëtare, transparencën financiare, kontrollin mbi pastrimin e parave dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat