Qeveria shqiptare po promovon një ligj të ri për “Fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve doganore”, i njohur si “Paqja Fiskale”, që ka hapur një debat të gjerë në qarqet financiare dhe politike të vendit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një seance në komisionin e financave, deklaroi se ligji synon të vijë në ndihmë rreth 202 mijë tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara, ku mbi 60% e tyre janë pasivë, kanë mbyllur bizneset ose janë çregjistruar.
“Ky ligj do t’u japë mundësi tatimpaguesve që të fshijnë detyrimet e papaguara deri në 31 dhjetor 2014 dhe do të krijojë mundësi për pagesa të strukturuara për periudhën 2015–2019”, tha Malaj.
Kush përfitojnë dhe çfarë nuk fshihet
Drafti i ligjit nuk përfshin borxhet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa për borxhet e tatimeve dhe doganave ligji synon të mbulojë:
Borxhet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014, të cilat do të fshihen plotësisht.
Borxhet e periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, ku bizneset mund të paguajnë 50% të borxhit deri më 30 qershor 2026, ndërsa gjysma tjetër do u falet. Nëse pagesa do të bëhet deri më 31 dhjetor 2026, duhet të paguajnë 75% të shumës të ndarë në këste mujore, dhe 25% do t’u falet.
Qeveria thekson se një nga grupet që përfitojnë janë fermerët, ndërsa borxhi total i tatimeve dhe doganave është vlerësuar në rreth 525 milionë euro:
Tatimet: 260 milionë euro
Doganat: 266 milionë euro
Situata e borxheve tatimore
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore deri më 31 dhjetor 2024:
Numri i tatimpaguesve me detyrime të papaguara: 202,387
Shuma totale e taksave të papaguara: 162.5 miliardë lekë (~1.7 miliardë euro)
Detyrimi kryesor: 98.4 miliardë lekë (~1 miliard euro)
Gjoba: 58.1 miliardë lekë (~581 milionë euro)
Kamatat: 7.9 miliardë lekë (~79 milionë euro)
Shpërndarja sipas moshës së borxheve
Mbi 10 vjet: 29.5 miliardë lekë (18%)
5–10 vjet: 75.2 miliardë lekë (46%)
2–5 vjet: 32.8 miliardë lekë (20%)
1–2 vjet: 10.4 miliardë lekë (6%)
6–12 muaj: 7.3 miliardë lekë (5%)
3–6 muaj: 2.8 miliardë lekë (2%)
Më pak se 3 muaj: 4.2 miliardë lekë (3%)
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e borxheve tatimore janë të vjetra dhe me gjasa të paarkëtueshme, çka ka shtyrë drejt ndërhyrjes ligjore.
Situata e borxheve doganore
Edhe në dogana situata është e ngjashme:
Shuma totale e borxhit doganor të papaguar deri në dhjetor 2024: 48.5 miliardë lekë (~500 milionë euro)
Numri i debitorëve: 4,684
Detyrimi kryesor: 13.1 miliardë lekë (27%)
Gjoba: 26.5 miliardë lekë (55%)
Kamatat: 8.9 miliardë lekë (18%)
Sipas moshës së borxheve doganore, më shumë se 10 vjet arrijnë në 25.7 miliardë lekë, duke treguar se pjesa më e madhe e borxhit që mund të fshihet është e vjetër dhe ka qenë inaktive për më shumë se një dekadë.



