Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të shtyjë seancën e radhës për çështjen e njohur si “Partizani”, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Avokati Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysi, që mbrojnë Fatmir Bektashin dhe dy kompani të përfshira në dosje, nuk kanë qenë të pranishëm në seancë. Seanca e ardhshme është caktuar për 10 dhjetor, ora 12:30.
Në seancën e kaluar, GJKKO rrëzoi një sërë kërkesash të paraqitura nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa të pandehur të tjerë. Ata kishin kërkuar shpalljen e pavlefshme të akteve dhe mospranimin e provave të mbledhura deri më tani nga SPAK, duke pretenduar shkelje proceduriale. Gjykata, megjithatë, e konsideroi kërkesën si të pabazuar ligjërisht dhe në prova.
Mes akt-vedimeve të shqyrtuara ishte edhe puna e gjyqtares së hetimeve paraprake, Irena Gjoka, e cila prej kohësh është objekt sulmesh nga ish-kryeministri Berisha. GJKKO theksoi se vendimet e marra nga Gjoka janë të vlefshme dhe se provat e grumbulluara deri tani nuk mund të rrëzohen.
Gjithashtu, një tjetër kërkesë që u rrëzua nga GJKKO ishte ajo e kompanisë Kontakt, e cila kërkonte gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes. Gjykata nuk pranoi këtë kërkesë, duke vendosur që çështja të vazhdojë e bashkuar, sipas procedurave të zakonshme gjyqësore.
Çështja “Partizani” vazhdon të mbetet një prej dosjeve më të ndjekura nga publiku dhe mediat, duke përfshirë figura politike dhe ekonomike të rëndësishme në vend. Vendimet e GJKKO-së priten me kujdes për ndikimin që mund të kenë mbi zhvillimet e mëtejshme dhe mbi procesin e hetimeve të SPAK-ut.



