Gjatë seancës së sotme në GJKKO, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar t’i krijohet mundësia të studiojë aktet e dosjes përmes pajisjeve teknologjike brenda paraburgimit. Në mungesë të kësaj, ai ka kërkuar të lejohet të paraqitet çdo ditë në gjykatë për të lexuar materialet voluminoze të çështjes. Të dyja kërkesat u refuzuan nga trupi gjykues.
Veliaj u shpreh se nuk i është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve dhe se përballja me një dosje me rreth 60 mijë faqe pa mjete teknike e pengon në mënyrë të ndjeshme të drejtën e tij për mbrojtje.
“Fakti që nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi,” tha ai gjatë fjalës së tij në sallë.
Veliaj shtoi se volumi i dokumenteve “do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne”, duke argumentuar se situata po e pengon të ushtrojë të drejtën kushtetuese për mbrojtje.
“Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor… Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal,” theksoi ai.
Kryebashkiaku mbetet në paraburgim dhe përballet me disa akuza, të cilat janë ende objekt hetimi dhe nuk janë provuar nga gjykata.



