Shqipëria përkujton sot 8 Dhjetorin, të njohur si “Dita e Rinisë”, në nderim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990, e cila hapi rrugën drejt rrëzimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit politik në vend.
Pikërisht 35 vite më parë, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës dolën publikisht kundër regjimit, duke nisur protestat historike që shënuan fillimin e ndryshimeve më të mëdha politike që prej krijimit të shtetit shqiptar. Demonstratat e studentëve, që nisën në Qytetin Studenti, u shndërruan shpejt në një lëvizje të fuqishme mbarëpopullore, e cila çoi në shfuqizimin zyrtar të diktaturës komuniste dhe në hapjen e vendit drejt demokracisë.
Kjo ditë e rëndësishme u përkujtua edhe nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili në një mesazh publik theksoi se 8 Dhjetori është një moment kyç në historinë moderne të Shqipërisë.
“Sot kujtojmë guximin dhe idealizmin e rinisë shqiptare, që 35 vite më parë ndryshoi rrjedhën e historisë së vendit,” – shkroi Kreu i Shtetit. “Lëvizja Studentore e dhjetorit 1990 mbetet simbol i aspiratës për liri, demokraci dhe të ardhme europiane.”
8 Dhjetori, i shpallur zyrtarisht Ditë Kombëtare e Rinisë, mbetet një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme të Shqipërisë postkomuniste, ndërsa çdo vit shërben si reflektim për rolin e të rinjve në shoqëri dhe për sfidat e demokracisë shqiptare.



