Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur të heqë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj avokatit Besart Logu, i cili akuzohet nga SPAK për marrje të ryshfetit me qëllim ndikimin tek organet e drejtësisë.
Sipas vendimit të gjyqtarit të Apelit, Florjan Kalaja, avokatit Logu i ndalohet përkohësisht ushtrimi i profesionit të avokatisë, ndërsa sekretaria gjyqësore është urdhëruar që vendimi t’i komunikohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Avokati Logu u arrestua më 10 shtator 2025 me masë sigurie “arrest në shtëpi” pasi SPAK e akuzon se i ka marrë 8 mijë euro një klienti italian më 13 dhjetor 2024, me qëllim të ndikojë tek funksionarët e drejtësisë për çështjen e tij. Hetimi filloi më 27 nëntor 2024, bazuar në kallëzimin e vetë klientit.
SPAK ka bërë të ditur se marrja e parave është e dokumentuar me përgjime dhe filmime, dhe se shumën e marrë avokati nuk e përdori për shërbime avokatie, siç kishte pretenduar fillimisht në rrjetet sociale.