back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia8 Milionë Euro të humbura/ RTSH në kolaps, kush i zhduku fondet...

8 Milionë Euro të humbura/ RTSH në kolaps, kush i zhduku fondet publike?

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), institucioni publik me financim nga taksapaguesit shqiptarë, ndodhet në një krizë të thellë financiare, përmasat e së cilës po dalin në dritë pas një shkrese zyrtare të drejtoreshës së re, Eni Vasili, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në dokumentin që tashmë ka bërë jehonë në media, Vasili kërkon 200 milionë lekë fonde shtesë për të mbajtur në këmbë funksionimin bazë të RTSH-së, duke theksuar se situata financiare është “jashtëzakonisht alarmante” dhe e trashëguar nga administratat e mëparshme, ku përmendet dyshimi për abuzime në miliona euro fonde publike.

Abuzime në miliona euro, humbje nga gjyqet dhe kontratat

Sipas dokumentit zyrtar, RTSH ka shpenzuar mbi 326 milionë lekë vetëm për dëmshpërblime të punonjësve të pushuar padrejtësisht, me procese të humbura në gjykatë.

Deri më 31 maj 2025, janë regjistruar detyrime të papaguara ndaj stafit në masën e 730 mijë eurove, për paga, sigurime dhe të drejta të tjera të prapambetura.

Humbjet potenciale nga proceset gjyqësore të hapura ndaj RTSH mund të kapin vlerën mbi 3.3 milionë euro, nëse institucioni vazhdon të humbasë çështjet, siç ka ndodhur në periudhën 2021–2024.

Nga menaxhimi i të drejtave televizive dhe kontratat për prodhime apo transmetime, janë evidentuar mbi 4 milionë euro dëm ekonomik dhe shkelje të rënda të procedurave të prokurimit.

Në total, dëmi i dyshuar kap vlerën mbi 8 milionë euro.

Eni Vasili: “Kërkoj auditim të jashtëm dhe përgjegjësi”

Në shkresën e saj, Eni Vasili thekson se ka kërkuar një auditim të jashtëm të menjëhershëm nga Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas saj, mospërgjegjshmëria e drejtuesve të mëparshëm ka sjellë kolapsin aktual dhe nevojitet ndërhyrje jo vetëm buxhetore, por edhe hetimore.

“Kjo nuk është krizë financiare, por krizë menaxhimi, mungese kontrolli dhe ndoshta edhe vullneti për të dëmtuar qëllimisht institucionin publik,” – thuhet në shkresën që Vasili i ka drejtuar financave.

 Ish-drejtori Alfred Peza në qendër të vëmendjes: A duhet të hetohet?

Në mënyrë të tërthortë, dokumenti i Vasili lë të kuptohet se një pjesë e këtyre abuzimeve lidhen me periudhën kur RTSH drejtohej nga Alfred Peza, i emëruar në vitin 2021 dhe i shkarkuar në 2024 pas debateve të shumta në Këshillin Drejtues të institucionit.

Peza, ish-gazetar dhe figurë e njohur publike, e mori drejtimin e RTSH me premtime për reformim, por administrata e tij është përballur me kritika të ashpra për mungesë transparence, rritje të shpenzimeve administrative dhe politizim të institucionit.

“A duhet të hetohet Alfred Peza për gjendjen ku ndodhet RTSH sot?”, – është pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort nga opinioni publik, ndërsa institucionet heshtin.

A do të ndërhyjë SPAK?

Pas denoncimit zyrtar të drejtoreshës aktuale, janë rritur zërat që kërkojnë përfshirjen e SPAK për hetim të thelluar të abuzimeve të mundshme me fondet publike. Burime nga brenda RTSH-së kanë bërë të ditur për mediat se ka pasur mospërputhje të shumta në bilancet financiare gjatë drejtimit të mëparshëm.

Aktualisht nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga SPAK apo Prokuroria, por presioni publik dhe fakti që bëhet fjalë për fondet e një institucioni shtetëror me rol kyç në informimin publik, e bën këtë çështje me rëndësi të veçantë për transparencën institucionale.

RTSH, që duhet të ishte simbol i paanshmërisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, sot është kthyer në një shembull të gjallë të keqmenaxhimit dhe ndoshta të keqtrajtimit të fondeve publike. Me miliona euro të humbura, staf të pakënaqur dhe besueshmëri të cënuar, kjo krizë nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.

Nëse konfirmohen shkeljet, hetimi i drejtuesve të mëparshëm, përfshirë Alfred Pezën, është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i pashmangshëm..

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat