back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuDrejtësiaONM rekomandon ankimin në Kolegj të prokurores Eranda Laze

ONM rekomandon ankimin në Kolegj të prokurores Eranda Laze

Nga Edmond Hoxhaj

Institucioni i Komisionerit Publik njoftoi të premten më 6 dhjetor se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar ankimin në Kolegj të konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Eranda Laze. Vendimi i konfirmimit u mor nga kryesuesja e trupës së KPK-së, Pamela Qirko dhe anëtarja Alma Faskaj, të cilat u bindën me shpjegimet e subjektit për barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit.

Gjatë seancës dëgjimore më 6 nëntor, Laze e kundërshtoi bilancin negativ të konstatuar gjatë hetimit administrativ paraprak në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar duke kërkuar konfirmimin.

Sipas shumicës së trupës së KPK, Laze ka bërë deklarim të saktë në deklaratën veting, si dhe ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë. Po ashtu, bilanci negativ sipas KPK-së u rrudh në vlerën e rreth 1.5 milionë lekëve, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për penalizim.

“Duke gjykuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, deklarimet e pasakta të konstatuara si më sipër dhe problematikat e evidentuara në analizën financiare nuk çmohen të mjaftueshme për cenimin e kriterit të pasurisë apo të vlerësohen si të tilla që të ndikojnë në vlerësimin tërësor në procesin e rivlerësimit të kryer për këtë subjekt,” vlerëson shumica.

Relatorja e çështjes, Xhensila Pine ka dalë në pakicë duke çmuar se prokurorja Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81 mijë e 284 euro dhe të një automjeti. Në analizat e burimeve të krijimit të këtyre pasurive, Pine konstaton në tabelat përkatëse pamundësi financiare, që në total shkojnë në vlerën rreth 8.6 milionë lekë.

Pine arsyeton se pretendimet e prokurores Laze pas kalimit të barrës së provës se burimi i krijimit të të ardhurave të deklaruara nga bashkëshorti nga emigracioni ishin edhe të ardhurat e familjarëve të tij po  nga emigracioni, nuk mbështetet nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ.

“Lidhur me këtë pretendim, ai nuk mund të pranohet, pasi procesi hetimor administrativ i zhvilluar prej organeve të rivlerësimit nuk mund të jetë një proces që fton/lejon subjektet të bëjnë deklarime të reja, më të volitshme për vlerësimin e pasurisë së tyre. Ata janë të ftuar të japin shpjegime e të paraqesin prova që mbështesin deklarimet e tyre dhe jo të modifikojnë deklarimet në përputhje me problematikat e prezantuara”, vëren Pine dhe shprehet se ka votuar për shkarkimin nga detyra të Lazes, pasi balancat negative nuk justifikojnë zbatimin e parimit të proporcionalitetit dhe konfirmimin.

Rekomandimi i ONM

Vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësojnë të pasaktë arsyetimin dhe jurispudencën e cituar nga ana e shumicës së KPK. Ashtu si komisionerja Pine në pakicë, edhe ONM vlerëson se vlerësimi i drejtë i fakteve do kishte çuar në shkarkimin e prokurores Laze nga detyra.

Në rekomandim thuhet se subjekti nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës për disa prej gjetjeve dhe se shumica nuk vlerësoi si duhet çështjet e konstatuara.

Për këto arsye, ONM u rekomandon Komisionerëve Publikë që të kërkojnë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shqyrtimin gjyqësor të të gjithë çështjes, duke veçuar dhe gjetjet konkrete.

ONM sfidon konkluzionet e KPK-së në lidhje me vlerësimin e gjithë pasurisë dhe në veçanti ato që lidhen me pamundësinë financiare prej rreth 1.5 milion lekësh.

Në rekomandim sillet në vëmendje se nga analiza financiare për blerjen e apartamenteve fillimisht bilanc negativ në masën 6.8 milionë lekë.

ONM e quan të gabuar vlerësimin e shumicës së KPK se bashkëshorti i subjektit gëzon statusin e personit të lidhur prej shtatorit të vitit 2008, kur filluan bashkëjetesën. Shumica vlerësoi se të ardhurat dhe kursimet e bashkëshortit të deklaruara se janë fituar para martesës, nuk rezultuan nga hetimi që të jenë krijuar nga veprime të paligjshme apo që të ketë pasur dyshime se ishin të ardhura në të cilat mund të ketë kontribuar prokurorja Laze. Për rrjedhojë u përfshinë në analizën financiare për krijimin e pasurive.

ONM e cilëson të gabuar këtë kualifikim të bërë nga shumica. Për një apartament të blerë në Vlorë në prill të vitit 2008, që është konsideruar si pasuri e krijuar para martesës, ONM vëren se subjekti ka konfirmuar se e ka përdorur gati një vit para këtij transaksioni dhe pa kompesim. Po ashtu, sillet në vëmendje se subjekti ka pasur lidhje interesi me bashkëshortin dhe para martesës së ligjshme, pasi rezulton të ketë udhëtuar disa herë së bashku dhe shpenzimet e prokurores Laze janë mbuluar prej tij. Tjetër fakt që konstaton ONM, është dhe aksesi që ajo ka pasur në llogarinë bankare të bashkëshortit, edhe para lidhjes së martesës ligjore mes tyre.

Sipas ONM, nuk është vërtetuar aftësia për të blerë këtë aset. Në vijim, vëzhguesit paraqesin qëndrim të ndryshëm për pagesën e këstit të fundit prej 11 mijë e 284 euro për apartamentet në Tiranë.

Në deklaratën periodike të vitit 2010, subjekti ka deklaruar se janë paguar në total 70 mijë euro për dy apartamentet në Tiranë. Duke ju referuar pretendimeve të subjektit se vlera e paguar ka qenë 80 mijë euro, ONM vlerëson se mbetet e pashpjegueshme pse nuk është deklaruar në vitin 2010. Po ashtu, ekzistenca në vitin 2014 e një fature, sipas vëzhguesve, vërteton se shuma e mbetur prej 11 mijë e 284 euro është paguar më vonë.

ONM i konsideron të pasakta ndryshimet në analizën financiare të shumicës që sollën ndryshimin e bilancit negativ nga 10.3 milionë lekë në rreth 1.5 milion lekë. Vëzhguesit konsiderojnë se subjekti nuk ka vërtetuar aftësinë financiare të bashkëshortit për të krijuar këtë pasuri si dhe kursimet.

Për dhurimin e një sipërfaqe toke prej 500 m2 në Vlorë, shumica ka konkluduar se akti është përpiluar me vullnetin e lirë të personave si për shkak të marrëdhënies me bashkëshortin, ashtu dhe për ndihmën juridike që ai u ka dhënë. Sipas KPK, është vërtetuar se kjo provë nuk rrjedh nga kontrata e shërbimit për të cilën do të kishte pasur detyrimin të paguante tatim.

ONM vlerëson ndryshe. Duke sjellë në vëmendje deklaratën e subjektit se bashkëshorti njihej prej kohësh me dhuruesit dhe se u ofroi konsulencë ligjore për regjistrimin e parcelave të tokës bujqësore në fshat, që e kishin të trashëguar. Sipas ONM, subjekti nuk dha përgjigje përfundimtare dhe konkrete për llojin e ndihmës juridike që iu është dhënë dhuruesve. Po ashtu, në rekomandim shtohet se mbetet e pahetuar nëse bashkëshorti i subjektit ka marrë pjesë në ndonjë procedurë gjyqësore dhe nëse është kujdesur për regjistrimin e pasurive. Vëzhguesit çmojnë se duheshin ndërmarrë hetime të mëtejshme për të larguar çdo dyshim të mundshëm, nëse ky dhurim mund të jetë vërtet kompesim për shërbimin e ofruar nga bashkëshorti.

Për një ndërtim pa leje të vjehrrit të subjektit, në proces legalizimi, KPK nuk ka gjetur indicie që të kenë lidhje me procesin e rivlerësimit. SIpas ONM, edhe në këtë rast ka mjaft elementë që duhej të ishin hetuar më tej, pasi rrethanat e evidentuara gjatë hetimit kanë treguar më shumë lidhje të kësaj pasurie me bashkëshortin e subjektit, se me vjehrrin e saj.

Në vijim ONM ndalet dhe në gjetjet në kriterin e figurës. Gjatë seancës dëgjimore, u konstatua se subjekti dhe bashkëshorti kishin udhëtuar me shtetasin A.M. dhe bashkëshorten e tij në vitin 2015. Bazuar në të dhënat e hetimit paraprak, Komisioni konstatoi se A.M. ka qenë i proceduar në vitin 2018 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, por në vijim i është përcjellë për kompetencë në prokurorinë e Vlorës. Dosja më vonë është pushuar. Ndërkohë, Prokuroria e Vlorës ka informuar dhe për një procedim penal të vitit 2012 për vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Pas shpjegimeve dhe provave të dorëzuara nga subjekti, KPK ka konkluduar se ajo e ka plotësuar saktë deklaratën për figurën, pasi edhe nëse ka pasur ose jo dijeni për atë procedim penal, emri i këtij individi nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në regjistrin e veprave penale e për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.

ONM sjell në vëmendje se personi në fjalë është hetuar në Prokurorinë e Vlorës prej 2012-ës për tre vjet, institucion ku subjekti ka punuar për më shumë se 10 vjet. Sipas vëzhguesve, duke konsideruar kohëzgjatjen e këtij procedimi penal për tre vjet, mbetet për t’u habitur që asnjë emër nuk është regjistruar ndonjëherë në Regjistrin e Veprave Penale, për këtë rast, në çdo cilësi.

Në vijim arsyetohet se edhe nëse ky kontakt nuk do të vlerësohej si i papërshtatshëm, analiza duhej të ishte kryer në aspektin etik në kuadër të vlerësimit të përgjithshëm të çështjes.

Vëzhguesit konstatojnë se subjektit ju kërkua të jepte shpjegime për disa udhëtime dhe kontakte me persona të përfshirë ose të dyshuar për përfshirë në aktivitete kriminale. Sipas ONM, KPK duhej të kishte bërë një analizë të plotë në aspektin e etikës, duke argumentuar se etika nuk zbatohet vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe në sjelljet në jetën private të një magjistrati.

“Pritet që gjyqtarët dhe prokurorët të sillen me integritet, korrektësi, rezervë dhe maturi, si brenda dhe jashtë funksioneve të tyre”, citohet në rekomandim dhe kërkohet që analiza etike të ketë një standard më të lartë, jo vetëm për sjelljen e subjektit, por dhe për mënyrën se si një vëzhgues i jashtëm mund ta perceptojë atë sjellje.

Kontaktet e drejtëpërdrejta ose të tërthorta me persona me precedentë penalë, konsiderohen prej vëzhguesve se ndikojnë negativisht në besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Po ashtu, konsiderohet si problem edhe qasja tjetër e subjektit, duke pranuar mbulimin e shpenzimeve të saj të udhëtimit jashtë vetndit nga klientë të bashkëshortit, në cilësinë e avokatit mbrojtës të tyre.

ONM vlerëson se, nisur nga këto rrethana mbetet e diskutueshme sesi subjekti arrin të shmangë konfliktin e interesit. Vëzhguesit shprehen se besojnë se ka indice serioze për sjelljen e subjektit, që bien ndesh me vlerat themelore që pritet të ketë një magjistrat.

Në përfundim, ONM u kërkon Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim në KPA kundër vendimit të shumicës së KPK. vëzhguesit ndërkombëtarë shprehin bindjen se një vlerësim i duhur i gjithë gjetjeve do të çonte në shkarkimin nga detyra të prokurores Eranda Laze.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat