Në prag të proceseve4 zgjedhore, bazuar në Kodin Zgjedhor, KQZ bën ndarjen e zonave zgjedhore. Koncepti i zonave mbi bazë qarqesh lidhet me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe aplikimin e sistemit proporcional rajonal. Shqipëria është e ndarë në 12 zona, numër që i përgjigjet 12 qarqeve në organizimin vendor territorial. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, e cila aplikon thuajse të njëjtin koncept, por me numër të barabartë mandatesh për zonë, Shqipëria e përcakton numrin e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë.
Për këtë shkak, sipas të dhënave të Institutit të Studimeve Politike (ISP) në katër zgjedhjet e fundit parlamentare kanë ndryshuar numri i deputetëve në qarqe, me tendencën, kufizim të mandateve në zonat e periferisë dhe rritje të mandateve në Tiranë. Tirana është rritur me 5 mandate nga 2009, Durrësi me 1 mandat, ndërkohë që kanë humbur mandate Korça (2) dhe Dibër, Gjirokastër, Berat dhe Kukës (1).
Tabela e hartuar nga ekspertët e ISP-së paraqet ndryshimet në mandate midis viteve 2008-2025 deri në zgjedhjet e vitit 2029, por tabela dhe në tërësi ndarja e zonave paraqet disa specifika që duhen konsideruar:
- Përfaqësimi në parlament. Kurba e lëvizjes së mandateve ka trend rritës në Tiranë. Në zgjedhjet e vitit 2025 i vetëm qarku Tiranë zotëron 26% të vendeve në parlament ose sa 6 qarqe (Korça, Lezha, Berati, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi) të marra së bashku. Nga ana tjetër, tri qarqet e “Shqipërisë së Mesme”, (Tiranë, Durrës dhe Elbasan) zotërojnë 46% të vendeve në parlament, katër qarqet e veriut (Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës) zotërojnë vetëm 19% të vendeve në parlament dhe pesë qarqet e jugut zotërojnë rreth dyfishin e tyre, 35%.
- Shqipëria vijon të ketë një regjistër votuesish informal. Ndarja mbi bazën e numrit të përgjithshëm të votuesve, jo votuesve realë që gjenden në Shqipëri. Sipas censusit të popullsisë më 2001 popullsia e Shqipërisë ishte 3,069,275 banorë, 10 vjet më vonë (2011) sipas censusit popullsia ishte 2,831,741 banorë, si dhe më 2023 nga censusi rezultoi se popullsia e Shqipërisë është 2.402.113 banorë. Censusi bazohet në numrin e banorëve që jetojnë në Shqipëri. Duke pasur valë periodike emigrimi dhe mungesë të regjistrit të diasporës, numri real i popullsisë mbetet i relativ dhe de facto edhe i paverifikueshëm.
- Pjesëmarrja zyrtare dhe pjesëmarrja reale në zgjedhje. Duke pasur një regjistër të paplotë votuesish dhe duke marrë si referencë Regjistrin e Gjendjes Civile pjesëmarrja në zgjedhje nuk shpreh realisht pjesëmarrjen në raport me numrin e qytetarëve mbi 18 vjeç që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë të drejtë vote. Votues të rregullt janë kryesisht 1,4-1,7 milionë zgjedhës (bazuar në të dhënat zgjedhore 2005-2023), shifra që nuk përbëjnë më shumë se 40%-53% të totalit të regjistrit të qytetarëve me të drejtë vote. Duke llogaritur votuesit realë, përqindja reale e pjesëmarrjes në votime është shumë e lartë.
- Vota e diasporës. Këtë vit do të aplikohet edhe vota e diasporës, – e cila, duke mos pasur regjistër votuesish, është e ndërvarur nga vetë interesi i qytetarëve në diasporë për regjistrim paraprak online dhe më pas për votim përmes postës, si dhe nga fushata e partive për të mobilizuar mbështetës në diasporë. Nëse nga diaspora merr pjesë 1 qytetar apo 1 milionë sistemi nuk siguron përfaqësimin e tyre parlamentar, pasi sistemi ynë përfaqësues nuk ka zonë për diasporën dhe as nuk lejon parti që janë krijuar jashtë vendit.
- Mandatet dhe kalkulimet elektorale. Duke pasur parasysh faktin se në kalkulimet zgjedhore pjesa jugore konsiderohet votuese e rregullt e të majtës dhe zonat veriore votuese të së djathtës, përcaktuese për krijimin e mazhorancave janë tri bashkitë e Shqipërisë qendrore. Kalkulime të tilla përcaktojnë edhe sjelljen zgjedhore të partive që duan të krijojnë shumicë qeverisëse. E djathta është bazuar kryesisht në përçarjet e majta në zonat jugore për të minimizuar diferencën, e majta ka përdorur kryesisht figura “të forta” lokale në veri për të njëjtin qëllim elektoral. Pjesa elitare e partive konkurron në Tiranë, ndërsa Durrësi dhe Elbasani në 2-3 proceset e fundit elektorale janë dominuar nga kandidatë me lidhje informale lokale.
- Shanset për partitë e reja/vogla. Në tërësinë e tyre vetëm dy parti, PSD dh LSI kanë pasur sukses të pjesshëm lokal, duke siguruar mandate, së fundi (2021) edhe në Shkodër për PSD dhe Fier për LSI. Kjo e fundit e ka humbur ndikimin e madh që ka pasur në Berat dhe Durrës. Në proceset e kaluara zgjedhore PDIU siguroi mandate në Elbasan e Korçë, por rezultoi se ato ishin më shumë mandate individuale të kandidatëve që kontrollonin zona specifike, sesa vota politike. Partitë e reja dhe të vogla kanë dështuar të kalojnë pragun e votave që kërkohet edhe për shkak se sa më larg Tiranës aq më të shumta janë raportimet dhe pretendimet për trafikimin e votave dhe kontrollin e votimit nga dy partitë e mëdha.
- Së fundi, sistemi i ri i votimit (2025), me një listë kandidatësh të sigurtë dhe një listë të hapur, ku de facto nga 140 deputetë mundësia për konkurrencë të hapur është për vetëm 25-32 deputetë, – nuk përbën katalizator për nxitje të pjesëmarrjes masive në zgjedhje, përkundrazi. Po ashtu, bazuar në statistikat zgjedhore të ISP-së, të rinjtë kanë potencial më të madh pjesëmarrje dhe votimi alternativ në zgjedhje sesa brezi i vjetër i votuesve, por në Shqipërinë aktuale këta të fundit janë numerikisht më shumë dhe se emigracioni ka përfshirë kryesisht brezat e rinj. Për ironi, bashki si Tirana që bëjnë pjesë në qarkun me numrin më të madh të mandateve kanë prirje për pjesëmarrje më të vogël në zgjedhje sesa qarqe të njohura për votë militante ndër vite, ndonëse në nevojat për demokraci funksionale/më pluraliste do të duhej të ishte e kundërta.