Përmes progres-raportit për vitin 2024 evidentohen një sërë problematikash dhe veprime diskriminuese me të cilat përballet edhe komuniteti shqiptar në këtë shtet.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani thotë se këto probleme janë të kamotshme dhe shtrihen në shumë aspekte.
“Qysh me dekada të tëra shqiptarët po përballen me diskriminim të vazhdueshëm, me mosnjohje të diplomave, pa tekste mësimore, mospërdorimin e flamurit dhe mohimin e identitetit tonë kombëtar”, thotë ajo.
Pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe policinë, potencon raporti.
“Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme”, evidentohet në raportin e vitit 2024.
Kryetarja e Preshevës evidenton se numri i shqiptarëve që përfaqësohen në institucionet shtetërore është tejet i vogël.
“Përfaqësimi në nivelet e institucioneve shtetërore është me shifra alarmuese ku, shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk i mundësohet të përfaqësohet në institucionet shtetërore, në asnjë institucion, qoftë në polici, qoftë në doganë, qoftë në gjykatë, qoftë në spitale dhe në çdo institucion tjetër”, shton Sinani.
Raporti për vitin 2024 në Serbi evidenton edhe një diskriminim institucional që po u bëhet shqiptarëve në Serbi me pasivizimin e adresave.
“Anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare ngritën shqetësime për mënyrën se si policia po kontrollonte statusin e vendbanimit në Serbinë jugore, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e adresave. Është e nevojshme që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen këto kontrolle”, theksohet tutje në raportin progresit.
Për Sinanin, ndaj diskriminimit të vazhdueshëm, shqiptarët po protestojnë në Serbi për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Kohëve të fundit kemi pasur një protestë në komunën e Bujanocit, një tjetër në komunën e Preshevës që ka qenë më masive dhe të dielën është në Medvegjë e cila fokus ka pasivizimin e adresave pasi që Komuna e Medvegjës është me numrin më të madh të prekur të personave të pasivizuar”, tha ajo.
Komisioni Evropian i bën thirrje Serbisë po ashtu të intensifikojë shtypjen e teksteve në gjuhët e pakicave, të ofrojë akses në adhurimin fetar në gjuhët e pakicave. Theksohet se shërbimet e transmetimit publik në gjuhët e pakicave ende nuk janë të mjaftueshme dhe evidentohet se ka pasur raste të gjuhës së urrejtjes kundër pakicave kombëtare në media dhe nga deputetët.