Demokratja Adriana Kalaja ka rikthyer tonet e ashpra në përplasjen e brendshme brenda Partisë Demokratike, duke akuzuar drejtues dhe figura të kësaj force politike se kanë mbështetur persona që më parë kanë fyer dhe denigruar demokratët, duke i quajtur ata “llum” dhe “vrasës”.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kalaja thekson se PD ka përqafuar modelin e “Sudës”, duke iu referuar individëve që sipas saj janë përfitues të tenderëve, lejeve ndërtimi dhe vilave në Hamallaj, ndërkohë që të vërtetët demokratë “telendisën” dhe “përzihen” nga partia.
“Të zvarritësh dhe të mbështesësh persona që të kanë quajtur vrasës e llum, tregon se ose i meriton ato që thuhen për ty, ose je i përgatitur që tradhtia të ndodhë sërish,” shkruan Kalaja, duke shtuar se mungesa e reagimit ndaj fyerjeve të tilla është një akt i padenjë për një opozitë që pretendon të rrëzojë regjimin.
Ajo përmend edhe heshtjen e strukturave të PD-së përballë lobimeve ndërkombëtare kundër liderëve të saj, ndërsa ironizon “përkuljen” ndaj figurave të diskutueshme, të cilët, sipas saj, janë kthyer në të preferuarit e “udhëheqjes”.
Kalaja shprehet gjithashtu se sulmet ndaj një demokrati të devotshëm, i cili ka pranuar një post, janë shenjë e dyfishtë së hipokrizisë që po dominohet nga interesa personale dhe jo nga parime.
“Pashë si zgërdhiheshin e i lëshonin vendin në rreshtat e parë, ata që ishin ankuar e kishin sharë më shumë se ne ‘radikalët’. Tani i pafshi hajrin – thotë il popolo albanese sudedashës,” përfundon Kalaja.